Sport

Barça e Atletico kthejnë vëmendjen për top-katërshe

Barcelona e Atletico Madridi do të mundohen ta lënë prapa formën e dobët në javët e fundit dhe tani do ta kthejnë vëmendjen për top-katërshe në La Ligën spanjolle.

Shpresat e Barcelonës për të fituar trofe këtë sezon pësuan dy goditje të mëdha. Barça u mposht nga Real Madridi në Superkupë, ndërsa më pas u eliminua edhe nga Athletic Bilbao në Kupën e Mbretit.

Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Xavi Hernandez do të ketë mundësi të triumfojë në Ligën e Evropës. Do të luajë kundër Napolit në muajin tjetër, por La Liga është jashtë objektivit. “Blaugranat” kanë plot 17 pikë më pak se Real Madridi që është lider i La Ligës.

Por, nën drejtimin e Xavit, Barça ka pasur përparim. Tinejxheri Ansu Fati mund të mos luajë sërish për shkak se u zëvendësua në duelin kundër Bilbaos shkaku i problemit në kofshë, e situatë problematike ka edhe me Ousmane Dembelen.

Dembeles i është kërkuar të gjejë klub të ri, ndërsa nuk ishte fare pjesë e skuadrës që udhëtoi në Bilbao.

Barcelona do të luajë në udhëtim tek Alavesi në kuadër të xhiros së 22-të në La Liga, në ndeshjen që nis në orën 21:00.

Ndërkohë, skuadra e vendit të katërt, Atletico Madridi, do të ballafaqohet me Valencian në orën 21:00 të shtunën. Atletico u eliminua nga Kupa e Mbretit të mërkurën nga Real Sociedadi i vendit të pestë, por me pikë të njëjta me Atleticon, nga 33 në total.

Skuadra e Diego Simeones, Atletico, i ka fituar vetëm dy nga tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Kampionia në fuqi e Spanjës e ka mbajtur portën e paprekur në vetëm dy prej 12 ndeshjeve të fundit.

Real Madridi lider me 49 pikë luan ndaj Elches të dielën në orën 16:15. Është po i njëjti kundërshtar, të cilin madrilenët e eliminuan vetëm pas vazhdimeve 2:1 në Kupën e Mbretit. Sevilla do të jetë nikoqire e Celta Vigos të shtunën.

Andaluzianët e humbën mundësinë që ta ngushtonin diferencën e pikëve me Realin në dy, pasi barazoi me Valencian në mesjavë. Tani diferenca është katër pikë.