Sport

FIFA vendos kufizime në huazimin e lojtarëve

FIFA më në fund është gati të zbatojë kufizime në numrin e lojtarëve që klubet mund të dërgojnë dhe të marrin në huazim, dy vjet pasi rregullat e reja u shtynë nga pandemia. Planet e FIFA-s të prezantuara të enjten synojnë të ndalojnë klubet e pasura të grumbullojnë lojtarë që kanë nënshkruar, duke i inkurajuar në zhvillimin e talenteve të tyre të reja dhe të promovojnë ekuilibrin konkurrues në futboll.

Frenimet që duhet të hyjnë në fuqi në korrik të këtij viti kanë një shtrirje të kufizuar. Lojtarët e moshës 21 vjeç e poshtë janë të përjashtuar nga rregullat e FIFA-s. Kërkohet bashkëpunim të mëtejshëm nga federatat nacionale të futbollit për të miratuar masat e FIFA-s.

Limiti i tetë lojtarëve

Klubet do të kufizohen në një maksimum prej tetë lojtarëve të huazuar dhe tetë lojtarë që mund t’i huazojnë në çdo kohë në edicionin 2022/23. Numri do të kufizohet në shtatë në edicionin vijues dhe në gjashtë nga edicioni që fillon pas 1 korrikut të vitit 2024. Klubet do të kufizohen gjithashtu në numrin e marrëveshjeve që mund të bëjnë me një partner tregtar të favorizuar në një vend tjetër: tre lojtarë brenda dhe tre lojtarë jashtë në çdo pikë të caktuar me të njëjtin klub.

Marrëveshjet afatshkurtra gjithashtu duhet të ndalohen. Marrëveshja minimale e huazimit do të jetë midis dy dritareve të transferimit - zakonisht këto janë në janar dhe qershor/gusht - dhe periudha maksimale do të jetë një vit. Nënhuazimi i një lojtari të dërguar tashmë në huazim do të ndalohet po ashtu.

Përjashtimet

FIFA tha se rregullat e saj të propozuara nuk zbatohen për lojtarët e moshës 21 vjeç e poshtë dhe lojtarët e stërvitur nga klubi. Kjo do të thotë që një klub me një Akademi të pajisur mirë me lojtarë si Chelsea mund të dërgojë një numër të pakufizuar adoleshentësh vendas në secilin klub në formë huazimi.

Në çdo vend anëtar të FIFA-s aplikimi dhe zbatimi i një grupi të veçantë rregullash mund të mbetet prapa.

“Në nivel vendas shoqatave anëtare të FIFA-s do t'u jepet një periudhë prej tre vjetësh për të zbatuar rregullat për një sistem huazimi që është në përputhje me parimet e vendosura në nivel ndërkombëtar”, tha organi qeverisës me bazë në Zuerich.

Synimi

FIFA ka punuar që nga viti 2017 për të gjetur mënyra për të modernizuar dhe pastruar tregun e transferimeve të lojtarëve, i cili përfshin mijëra marrëveshje dhe vlen miliarda euro çdo sezon. Ndër shqetësimet e FIFA-s është se klubet e pasura grumbullojnë lojtarë të cilët zvogëlojnë grupin e talenteve në dispozicion dhe kontrollojnë qasjen tek ato për rivalët më pak të pasur që kërkojnë marrëveshje huazimi. Komiteti i palëve të interesuara të FIFA-s propozoi kufizime të reja në sistemin e huazimeve në vitin 2020, të cilat do të zbatoheshin më vonë atë vit dhe do të shtriheshin në më shumë se tri edicione. Pandemia e la në pritje. Të enjten FIFA tha se propozimi i sistemit të huazimit do të shkojë në mbledhjen e ardhshme të këshillit të saj qeverisës, me gjasë në muajin mars dhe do të aplikohet për marrëveshje ndërkombëtare nga data 1 korrik.