Ka mundur të jetë në krye të njërës prej përfaqësueseve, por Bernard Challandes do ta përcjellë nga tribunat ndeshjen miqësore ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës që luhet në muajin mars. Miqësorja mes këtyre dy skuadrave që do të zhvillohet më datën 29 mars në “Stadion Letzigrund” në Zuerich, u konfirmua të hënën nga të dy federatat – ajo e Zvicrës dhe e Kosovës. E këtë miqësore, në të cilën do të bëjë tifo për të dy përfaqësueset, Challandes thotë se pret me padurim ta shohë nga afër. Kur pyetet se cili do të jetë rezultati i saj, ish-përzgjedhësi i Kosovës përgjigjet shkurt: “Do të ishte mirë që mos të ketë fitues. Shpresoj në barazim. Pra, për mua barazimi do të ishte rezultati më i mirë”.
70-vjeçari ishte përzgjedhës i Kosovës për më shumë se tre vjet. Ai qe emëruar në krye të Kosovës më 2 mars të vitit 2018 përpara se të largohej më 13 tetor të vitit të shkuar. Në një intervistë për KOHËN të mërkurën, që është e para e tij prejse u largua nga Kosova, Challandes ka thënë se gjithmonë ka qenë dëshira e tij që ta luante një miqësore me Zvicrën. Mirëpo, pasi kjo nuk u realizua, trajneri zviceran këtë ndeshje e quan argëtuese dhe do ta përcjellë nga tribunat e stadiumit të skuadrës së Zuerichut. Ai nuk preferon të anojë nga njëra prej përfaqësueseve në këtë miqësore. Respekton si Kosovën po ashtu edhe Zvicrën. Krahas Kosovës, Challandes ka qenë edhe në krye të gjeneratave të reja të Zvicrës. Për më shumë se një dekadë (1996-2007), ai ka udhëhequr gjeneratat U17, U18 e U21 të shtetit helvetik. Madje, te Shpresat e Zvicrës ka qendër për gjashtë vjet. Për Zvicrën, miqësorja me Kosovën vjen tri ditë pas asaj që e luan kundër Përfaqësueses së Anglisë në stadiumin “Wembley” në Londër. Kosova e Zvicra përballen për herë të parë. Te Zvicra lojtarët kryesorë janë Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, ndërsa po ftohen edhe Andi Zeqiri e Kastriot Imeri. Zvicra është në momentin më të mirë të saj si përfaqësuese. Është kualifikuar në Kampionatin Botëror “Katari 2022” dhe është paraqitur me suksese në ngjarjet e mëdha të futbollit në dekadën e fundit. Është e 13-a në ranglistën botërore të FIFA-s, ndërsa Kosova zë vendin e 111-të.
Ndeshje e veçantë
Kosova ende nuk e ka gjetur pasardhësin e Challandesit ndërsa në dy ndeshjet e fundit pas largimit të tij është udhëhequr nga ndihmësi i zviceranit, slloveni Primozh Gliha. Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) së shpejti pritet ta emërojë përzgjedhësin e ri, i cili do të debutojë në muajin mars kur Kosova do t’i luajë dy miqësore.
“Po, patjetër që do të jem në tribuna. Në kohën time kur isha te Kosova jam munduar ta luajmë këtë ndeshje, por nuk ishte e mundur ndërsa tani që nuk jam te Kosova është e mundur. Jam i lumtur që do të luhet kjo ndeshje dhe për mua do të jetë kënaqësi ta shijoj nga stadiumi pas kam punuar si te Kosova ashtu edhe te Zvicra. Do të jetë një ndeshje argëtuese”, është shprehur Challandes. “Zvicra tri ditë më herët luan me Anglinë dhe pastaj përballet në Zuerich me Kosovën, në stadiumin ku kam punuar si trajner. Do të jetë kënaqësi ta shijoj këtë përballje. Për mua nuk është vetëm një ndeshje miqësore apo përgatitore, por duel special dhe shumë emocionues”.
Sipas Challadesit, kjo miqësore do të jetë një ndeshje shumë e mirë për Kosovën për shkak se përballë ka një prej përfaqësueseve më të forta në Evropë. Megjithatë, shpreson se Kosova të jetë e kompletuar dhe t’i ketë lojtarët më të mirë në dispozicion përballë Zvicrës që tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
“Është test i mirë dhe nder për Kosovën të përballet me Zvicrën, një prej skuadrave të forta të Evropës që tashmë është e kualifikuar për Katar dhe ka pasur paraqitje të mira në ndeshjet e fundit. Megjithatë, jam për të dy ekipet sepse si trajner dhe tifoz nuk mund t’i ndaj. Kam punuar me kënaqësinë më të madhe te Kosova ndërsa te Zvicra jetën e trajnerit e kam nisur me gjeneratat e reja, ku kam takuar shumë lojtarë shqiptarë si Shaqiri e Behrami”, shtoi Challandes. “Po ashtu, shpresoj që Kosova mos të preket nga situata aktuale me koronavirusin dhe t’i ketë në radhët e veta lojtarët më të mirë. Pastaj te Zvicra ka lojtarë me rrënjë nga Kosova, si Shaqiri, Xhaka, Zeqiri e Imeri në njërën anë, ndërsa në tjetrën për trajnerin e ri të Kosovës që nuk e di kush do të jetë është mundësi e mirë për ta përgatitur ekipin edhe më mirë për të ardhmen”.
Challandes shpreson se pasardhësi i tij te Kosova mos të bëjë ndryshime të mëdha në ekip dhe lojë. Ndërsa, është i bindur se numri i tifozëve në tribuna do të jetë i madh. Sipas tij, gjysma do të jenë tifozë të Kosovës ndërsa gjysma tjetër do ta përkrahë Zvicrën.
“Do të jetë ndeshje shumë interesante që pritet me padurim edhe nga tifozët. Të gjithë njerëzit nga Kosova që jetojnë në Zvicër e që janë shumë do të përpiqen të jenë në stadium. Stadiumi do të jetë gjysmë me kosovarë dhe gjysmë me zviceranë. Është një mundësi e mirë për ata që jetojnë në Zvicër ta shohin Kosovën të luajë dhe të ndihen krenarë”, tha ai.
I mërzitur që nuk do të jetë në stol te Kosova apo Zvicra
Challandes e pranon se ka mundur të jetë te Kosova apo Zvicra në këtë miqësore, por thotë se si trajneri e pranon këtë situatë. Ai ishte në listën e kandidatëve të ngushtë te Zvicra për ta zëvendësuar Vladimir Petkoviqin, por ishte Murat Yakin që u emërua përzgjedhës. Në kohën kur Challandes ishte kandidat, ai ishte ende në krye të Kosovës.
“Po, jam i mërzitur që nuk jam trajner i njërës prej këtyre dy skuadrave në këtë miqësore. Isha trajner i Kosovës dhe ka qenë kohë shumë e mirë. Më pas ishte një mundësi te Zvicra pasi isha në dyshen e kandidatëve për ta udhëhequr Zvicrën. Ata zgjodhën Murat Yakinin, një trajner i ri që ka bërë punë të mirë deri tani”, pranon Challandes. “Si trajner unë duhet ta pranoj këtë situatë. Do të ishte mirë nëse do të isha në njërin stol, por unë do të jem vetëm në tribunë. Kjo është jeta dhe unë jam i mërzitur pak, por duhet ta pranoj sepse e di se si është futbolli”.
Ai insiston se është krenar me punën që e ka bërë te Kosova dhe për këtë arsye thotë se barazimi ndaj Zvicrës do të ishte një rezultat i mirë për “Dardanët”. Madje, thotë se Kosova ka një ekip të mirë dhe miqësorja me Zvicrën është një mundësi për ta dëshmuar këtë.
“Është shumë mirë që unë do të jem në stadium dhe shpresoj të shoh ndeshje shumë të mirë, ndeshje me pasion e me futboll të mirë. Zvicra luan futboll të mirë dhe Kosova mund të luajë futboll të mirë po ashtu. Barazimi i Kosovës do të ishte një rezultat i mirë ndaj një skuadre që është në mesin e 10 apo 12 më të mirave në Evropë”, deklaroi Challandes. “E dëshiroj më të mirën për Kosovën. Kemi bërë punë të mirë me Kosovën dhe mund të përparojë në të ardhmen me trajnerin e ri. Ka lojtarë që janë zhvilluar shumë, si Rrahmani, Zhegrova, Rashica, Vojvoda e portieri Muriq. Po ashtu, edhe Vedat Muriqi. Kjo do të thotë se Kosova do të ketë një ekip të mirë, me mundësi të mira për të ardhmen. Ia dua më të mirën në zhvillim, të ketë hapin e radhës. Tani loja kundër Zvicrës është një mundësi dhe test i mirë për ta treguar atë që mundet. Shpresoj që ta shijojë këtë ndeshje”.
Në “Stadium Letzigrund” Kosova ka luajtur tashmë. Më 29 maj të vitit 2018 kishte mposhtur Shqipërinë me Challandesin në krye. Te skuadra e Zuerichut, që ndeshjet i luan në këtë stadium, janë dy reprezentues të Kosovës, Fidan Aliti e Mirlind Kryeziu. Të tjerë shqiptarë të kësaj skuadre janë Lindrit Kamberi, Blerim Xhemaili e Bledian Krasniqi. Lidhjet e futbollit mes dy vendeve janë shumë të forta. Skuadrat zvicerane janë të mbushura me futbollistë shqiptarë e po ashtu edhe ekipet përfaqësuese të Zvicrës. Shumë futbollistë të Kosovës ishin pjesë e sistemit zviceran të futbollit, ndërsa Superliga e Zvicrës është bazë e rëndësishme e përfaqësueses së Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.