Lara Gut-Behrami ka shënuar fitore në Kupën e Botës në disiplinën e lëshimit në Zauchensee në Austri, por kampionia Olimpike, Sofia Goggia, ka pasur një përplasje të rëndë të shtunën.
30-vjeçarja nga Zvicra, Gut-Behrami, bashkëshortja e futbollistit Valon Behrami, doli e para në podium në disiplinën e lëshimit për herën e parë këtë sezon me kohën 1:45.78, ndërsa në konkurrencë të fortë e pati gjermanen Kira Weidle.
Austriakja Ramona Siebenhofer përfundoi e treta. Megjithatë, sytë ishin kah Goggia, që ka qenë dominuese në disiplinën e lëshimit në Kupën e Botës në konkurrencën e femrave, dhe është favorite për ta mbrojtur titullin në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin muajin e ardhshëm. Ajo humbi kontrollin.
Goggia ishte afër që ta fitonte edhe garën e tetë rresht në lëshim. Por kur iu afrua një kthese më të madhe, u përplas fort dhe goditi rrjetën e kuqe të sigurisë me shpejtësi të madhe. Ajo u ngrit në këmbë fatmirësisht, dhe e ngriti gishtin për të treguar se është mirë, por ishte paksa e hutuar.
Goggia, e cila i ka fituar shtatë lëshimet e mëhershme, prinë në renditjen e përgjithshme.