Sport

Gjërat që Lille i veçon te Zhegrova

Edon Zhegrova u prezantua të premten në mbrëmje te kampioni në fuqi i Francës, Lille.

Skuadra elitare franceze ka veçuar disa gjëra për futbollistin e talentuar të Kosovës.

Zhegrova ka mundur të luajë për katër përfaqësuese

Zhegrova u lind në Gjermani, ndërsa prindërit e tij disa vjet më vonë vendosën të kthehen e të jetojnë në Kosovë. Ai ka mundur ta veshë fanellën e “Die Mannschaft”, nëse do të ftohej. Edoni po ashtu e kishte mundësinë të luante për Shqipërinë, por edhe për Përfaqësuesen e Belgjikës, shtet në të cilin shkoi si 15-vjeçar bashkë me familjen. Ky djalosh i ri e vendosi të ardhmen. Vendosi ta përfaqësojë vendin prej nga e ka origjinën. Më 24 mars të vitit 2018 luajti për herë të parë për Kosovën. Deri tani i ka 24 paraqitje. E festoi golin e tij të parë me Kosovën në ndeshjen kundër Madagaskarit në miqësore.

Selektimi nga Milani si 12-vjeçar

Në vitin 2012, Milani e organizoi kampin për të rinj “Milan Junior Camp” në Prishtinë, me synimin për të gjetur talente. Qindra fëmijë ishin të pranishëm, ndërsa “rossonerët” zgjodhën dhjetë më të mirët për “Milan Day”, që u mbajt muaj më vonë në San Siro, bashkë me talente nga 40 shtete.

Edoni ishte pjesë e listës së ngushtë. Ishte pritur në takim edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës në atë kohë, bashkë me 9 shokët e tjerë.

Dy trofe brenda një viti në dy shtete

Zhegrova fitoi dy trofe brenda një viti, në dy shtete të ndryshme. Edon Zhegrova fitoi kampionatin e Belgjikës, Jupiler Pro League, me skuadrën e KRC Genk në vitin 2019. Në janar të vitit 2019 kishte kaluar te skuadra e Baselit. Në shkurt të vitit 2019 luajti në gjysmëfinale të Kupës së Zvicrës, por jo në finale. Baseli e fitoi Kupën.

Kështu Zhegrovës iu evidentuan dy trofe në dy shtete për edicion të njëjtë.

Përballja me Jonathan Davidin

Më 26 dhjetor të vitit 2018, disa ditë para se të huazohej te Baseli, i riu Edon Zhegrova e priti skuadrën Gent me skuadrën e Genkut. Në ekipin kundërshtar ishte Jonathan David, atë kohë 18-vjeçar.

Zhegrova hyri në lojë në fundin e ndeshjes që u fitua 3:1 dhe dha kontributin e tij. Kanadezin David tani e ka bashkëlojtar te Lille.

Përvoja në tri gara të UEFA-s

Të garohet në Kupa Evropiane është ëndërr, nëse jo synim i shumë futbollistëve në kontinentin e vjetër.

Edoni ka luajtur në të tria garat e UEFA-s. Në edicionin 2018/19 ai luajti 4 ndeshje (2 gola dhe një asistim) për Genkun në Ligën e Evropës. Luajti edhe me Baselin.

Në edicionin 2019/2020 skuadra zvicerane luajti në raundin preliminar të Ligës së Kampionëve. Edoni nuk ishte në bankën rezervë dhe kjo i jep atij leje të luajë në Ligën e Kampionëve.

Për fund, numri 99 i Baselit ishte pjesë e skuadrës në edicionin e parë të Ligës së Konferencës në edicionin 2020/2021.