Sport

Presidenti i Lilles vlerëson profilin e Zhegrovës

Drejtuesit e klubit Lille janë shprehur të lumtur për transferimin e reprezentuesit të Kosovës, Edon Zhegrova.

22-vjeçari të premten ka firmosur kontratën me kampionin aktual të Francës.

Për transferimin e Zhegrovës ka folur presidenti Olivier Letang.

“Ne jemi shumë të lumtur t’i dëshirojmë mirëseardhje Edonit në LOSC. Edoni ka pasur shumë oferta, por ishte LOSC klubi që ai zgjodhi. Prej kontaktit të parë ishte e qartë se Lille ishte projekti i duhur për të. Ne e kemi përcjellë Edonin për një kohë dhe e kemi identifikuar atë si profil shumë të mirë, sidomos pas largimit të Jonathan Ikone. Ai ka kualitete të mëdha të shpejtësisë, që janë të rralla sot dhe që do të sjellin një gamë shtesë në ekipin tonë, sidomos në sektorin ofenziv”, ka thënë Letang për sajtin zyrtar të klubit.

“Edoni është ende lojtar i ri, ndonëse ka përvojë të mirë ndërkombëtare. Ai vjen në një zhveshtore të ndërtuar dhe me përvojë, në një ligë të re dhe në një klub me objektiva të mëdha. E presim me entuziazëm, por njëkohësisht do të sigurohemi që të integrohet me durim në ekipin tonë. Dua të falënderoj drejtuesit e Baselit që janë pajtuar më në fund ta lirojnë Edonin në janar, ndonëse ai ishte prej lojtarëve kryesor në skuadër”, ka shtuar i pari i klubit francez.