Sport

Drita firmos kontrata profesionale me dy talentë

Nënkampionia në fuqi e Superligës së Kosovës, Drita ka promovuar dy talentë në ekipin e parë. Skuadra e Dritës të premten ka njoftuar se ka firmosur kontrata profesionale me dy futbollistët e akademisë së saj, Yll Ibrahimin e Dienit Isufin.

Në njoftimin e klubit thuhet se talentet Ibrahimi e Isufi ka gjashtë muaj që janë përfshirë në ekipin e parë dhe kanë bindur stafin e trajnerëve më atë që kanë treguar duke detyruar klubin t’u ofrojë kontrata afatgjate.

Ibrahimi luan në pozitën e mbrojtësit të majtë ndërsa Isufi është mesfushor qendror.

“Talentët e rinj ishin pjesë e klubit të parë të Dritës tani e 6 muaj dhe me potencialin e përkushtimin e tyre bindën stafin e trajnerëve të fitojnë kontrata afatgjata me klubin tonë. Yll Ibrahimi, mbrojtës i majtë dhe Dienit Isufi, mesfushor qendror janë produkt i shkollës së futbollit DRITA, ku edhe nisën ëndrrën e tyre si futbollistë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e klubit nga qyteti i Gjilanit.