Sport

Ylli e nis vitin me fitore të thellë, mposht Trepçën

 

Kampioni në fuqi i Superligës së Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli e ka nisur vitin 2022 ashtu siç e ka mbyllur vitin 2021, me fitore. Në ndeshjen e xhiros së 15, me të cilën u hap stinor pranveror, Ylli ka triumfuar në udhëtim ndaj Trepçës.

Dueli i luajtur të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, është mbyllur me fitoren e ekipit nga Suhareka me rezultatin e thellë 84:62. Me këtë fitore, Ylli ia ka rrëmbyer Trepçës pozitën e parë në tabelë. Ka tubuar 26 pikë, një më shumë se Trepça që ka rënë në vendin e dytë. Ylli e ka dominuar plotësisht ndeshjen përkundër që Trepça pati një epërsi të lehtë në minutat e para. Skuadra e trajnerit Adis Beqiragiq i fitoi të gjithë çerekët. Për Trepçën, kjo është humbja e pestë këtë stinor ndërsa e dyta nga Ylli në tri përballje të luajtura deri më tani. Ndërkohë, Ylli regjistroi fitoren e 11 kampionale.