Trajneri i Norwich Cityt, Dean Smith ka insistuar se fitorja ndaj Charlton Athleticut në rundin e tretë të Kupës FA, duhet ta motivojë skuadrën e tij përpara duelit me West Ham Unitedin në kuadër të Premier Leagues. E trajneri Dean, pret po ashtu që sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica të tregohet efikas edhe në kampionat pas golit të parë me fanellën e Norwichit. Në fakt, Rashica ia siguroi Norwichit kalimin në raundin e katërt të Kupës FA. Ai shënoi golin e vetëm në fitoren 1:0 ndaj Charltonit të dielën. Rashica në këtë takim u inkuadrua në minutën e 46-të kurse golin e shënoi në minutën e 79-të nga afërsia pas asistimit të Teemu Pukkit. Për Rashicën, kjo ishte ndeshja e parë pas më shumë se një muaji. Ai mungoi në gjashtë ndeshjet e fundit kampionale Norwichit për shkak të lëndimit në ijë, kurse të enjten e shkuar u rikthye në stërvitje. Paraqitja ndaj Charltonit ishte e 15-ta për Rashicën në të gjitha garat këtë edicion, ku krahas një goli, e ka edhe një asistim. Në fakt, kjo ishte fitorja e parë e Norwichit pas gjashtë humbjeve rresht në të gjitha garat. Në rundin e katërt të Kupës FA, Norwichi do të përballet me Wolverhamptonin.
“Zëvendësimet në pjesën e dytë e bënë një ndryshim në cilësi dhe dallim më të mirë në fushë, gjë që u shfaq me golin e shënuar në fund. Kështu që, jam shumë i kënaqur që kaluam në raundin tjetër dhe i dhamë fund një cikli të humbjeve. Megjithatë, paraqitjet tona në ndeshjet tjera duhet të jenë edhe më të mira”, ka thënë trajneri i Norwichit, Smith pas fitores për sajtin zyrtar të klubit. “Unë doja që Miloti t’i ketë disa minuta në këmbët e tij në këtë ndeshje dhe të luajë së bashku me Teemu Pukkin”.
Smith pranoi se kishte menduar ta inkuadronte Rashicën prej fillimit por është frikësuar se ndeshja mund të shkonte në vazhdime dhe se sulmuesi do të ngarkohej shumë. Krahas Rashicës, Dean në pjesën e dytë e inkuadroi edhe finlandezin Pukki. Pas golit ndaj Charltonit, trajneri Dean pret që Rashica të ketë paraqitje të mirë edhe ndaj West Hamit, ndeshje kjo që luhet të mërkurën në Londër në kuadër të Premier Leagues.
“Ishte pak rrezik për ta inkuadruar Milotin prej fillimit, sepse ekzistonte mundësia që të shkonim në vazhdime. Por, ai pati një paraqitje të mirë për 45 minuta dhe shënoi gol. Kështu që, besoj se do ta ketë edhe një paraqitje të tillë ndaj West Hamit. Do të jetë gati”, u shpreh Dean. “Duhet të japim shumë nga vetja në atë ndeshje dhe nuk do të jetë aspak lehtë, sepse është një sfidë shumë e vështirë”.
Ndërkohë, Rashica ka thënë se golin e fitores ua dedikon tifozëve të klubit. Ka shtuar se fokusi i tij tani është në ndeshjen tjetër ndaj West Hamit.
“Jam i lumtur për tifozët, sepse ata erdhën deri këtu dhe me të vërtetë e meritojnë këtë. Jam më i lumtur që fituam për ta, sepse ata po na mbështesin javë pas jave. Ata me të vërtetë meritojnë të kthehen në shtëpi me një ndjenjë fitoreje dhe shpresoj se mund t'u japim atyre më shumë ndjenja si kjo”, tha Rashica. “Këto ishin 45 minutat e mia të para pas pothuajse gjashtë javësh. Unë kam stërvitur vetëm dy herë para kësaj ndeshjeje, kështu që shpresoj që të mund të forcohem dhe të kem më shumë kohë në fushë dhe më shumë lojë dhe të kem paraqitje të mira si kjo. Duhet të jemi gati për ndeshjen tjetër, që nuk do të jetë aspak e lehtë por duhet të japim gjithçka për të fituar, sepse është si finale për ne”.
Rashica 25-vjeçar iu bashkua Norwichit para fillimit të këtij edicioni nga Werder Bremeni për 11 milionë euro dëmshpërblim dhe me ekipin anglez ka kontratë deri në verën e vitit 2025. Prej 15 paraqitjeve që i ka për Norwichin në të gjitha garat deri më tani, 13 Rashica i ka luajtur në Premier League ku ka vetëm një asistim.