Sport

Anglia e Gjermania sfidojnë kampionen e Evropës në Ligën e Kombeve

Anglia, Italia dhe Gjermania u vendosën në të njëjtin grup në shortin e edicionit të ardhshëm të Ligës së Kombeve, i cili u tërhoq të enjten në Nyon. Hungaria do ta kompletojë Grupin A3, i cili vlerësohet si më i vështiri pasi Anglia e Gjermania do ta sfidojnë kampionen e Evropës, Italinë. Ndeshjet e këtij edicioni te Ligës së Kombeve do të zhvillohen midis qershorit të vitit të ardhshëm dhe qershorit të vitit 2023.

Shorti ka bërë që Anglia ta rinovojë rivalitetin me Gjermaninë dhe Italinë, përfaqësuese këto me të cilat u përball në Kampionatin Evropian të këtij viti. Anglia e mposhti Gjermaninë 2:0 në stadiumin “Wembley” në 1/8 e finales, përpara se të mposhtet nga Italia pas penalltive në finalen e luajtur po ashtu në Londër. Anglia gjithashtu luajti dy herë me Hungarinë në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, në të cilin është kualifikuar.

Në ndeshjen e luajtur në Budapest, Anglia triumfoi me rezultatin 4:0, ndërsa në duelin e luajtur në Londër, barazuan me shifrat 1:1. Përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini, tha se me padurim po i pret ndeshjet e këtij grupi, të cilin e quajti “argëtues”. Italia ishte në vazon kryesore të edicionit 2022/23 të Ligës së Kombeve pasi fitoi medaljen e bronztë në sezonin e fundit të kësaj gare.

“Është një grup i mirë dhe me Anglinë, Gjermaninë dhe Hungarinë sigurisht që do të jetë një grup shumë argëtues. Janë vetëm ndeshje futbolli dhe përballja me kundërshtarë të fortë është pjesë e gjithë spektaklit të këtij sporti. Ne kemi luajtur tashmë me Anglinë në finalen e Evropianit, kështu që sigurisht që do të jenë dy ndeshje shumë intensive”, është shprehur Mancini. “Sa i përket Gjermanisë, përballja me ta është një klasike e futbollit botëror dhe do të jetë hera ime e parë që përballem me ta si përzgjedhës. Kështu që, për këtë arsye jam shumë i lumtur. Më në fund, do të jetë një sfidë mes trajnerëve italianë kundër Hungarisë, pasi tregoi paraqitje të mira në Evropianin e fundit nën drejtimin e Marco Rossi”.

Nëse Italia kualifikohet për Botërorin e vitit të ardhshëm, atëherë ndeshjet e Ligës së Kombeve do të zënë vendin e miqësoreve në prag të turneut të Katarit që mbahet në muajin nëntor dhe dhjetor të vitit të ardhshëm. Mancini pranoi se synimi i Italisë është të fitojë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Megjithatë, pjesëmarrja e Italisë në Botërorin “Katari 2022” ende nuk është konfirmuar pasi do të luajë në ndeshjet e plejofit.

“Ne do të përpiqemi të fitojmë Ligën e Kombeve, sigurisht, pasi do të donim të ktheheshim në ‘Final Four’ siç bëmë këtë vit. Nuk do të jetë lehtë, por besoj se do të jemi të gatshëm”, tha Mancini.

Në fakt, ndeshjet e edicionit të Ligës së Kombeve nuk janë caktuar ende, por të parat do të zhvillohet në muajin qershor dhe shtator të vitit të ardhshëm. Gjysmëfinalet për fituesit e grupeve janë caktuar më pas në 14 dhe 15 qershor të vitit 2023, me finalen e paraparë të luhet më 18 qershor 2023.

Përfaqësuesja e Francës triumfoi në edicionin e fundit të Ligës së Kombeve, duke e mposhtur 2:1 Spanjën në finalen e luajtur në muajin tetor në stadiumin “San Siro” në Milano. Kampionia në fuqi e botës është në Grupin A1 së bashku me Danimarkën, Kroacinë dhe Austrinë. Portugalia, e cila fitoi si mikpritëse në finalet inauguruese të Ligës së Kombeve në vitin 2019, do të përballet me Spanjën, Zvicrën dhe Republikën Çeke në Grupin A2. Belgjika, që është përfaqësuesja më e ranguar në botë, do të luajë në Grupin A4 me Holandën, Poloninë dhe Uellsin. Liga e Kombeve, e prezantuar për të zëvendësuar ndeshjet miqësore të pakuptimta me përballje garuese, i ndan të gjitha 55 vendet anëtare të Evropës në katër liga. Çdo ligë përmban katër grupe me katër përfaqësuese, përveç Ligës D të fundit, e cila ka shtatë ekipe në total dhe vetëm dy grupe.