Sport

Kosova synon ta fitojë grupin

Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Muharrem Sahiti ka thënë se grupi në Ligën e Kombeve është i përballueshëm. Ai ka theksuar se Kosova synon ta fitojë grupin, i cili mundëson ngritjen në Ligën B.

Në shortin e tërhequr, Kosova është pjesë e grupit të dytë të Ligës C, së bashku me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe fituesin e ndeshjes mes Qipros e Estonisë.

“Mund të them se është një grup shumë interesant. Nuk është i lehtë, por edhe ne jemi në këtë nivel dhe duhet të bëjmë gjithçka për të arritur objektivin, e ai është vendi i parë në grup. Greqia e Irlanda e Veriut nuk janë ekipe të lehta, por me Greqinë jemi takuar katër herë dhe nuk është se ka treguar diçka më shumë se ne. Kështu që, kjo na bën të besojmë se mund të dalim të parët në grup pasi e njohim mirë”, është shprehur Sahiti për KOHËN. “Grupi është i pranueshëm, ndonëse kishim pasur dëshirë ta kemi një grup sikur të Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, kemi evituar Turqinë dhe Sllovakinë që janë të forta. Ky është shorti, i pranueshëm për ne dhe tani duhet të përgatitemi për këta kundërshtar që i kemi. Tash gjithçka varet prej nesh dhe besoj se vitin tjetër do të jemi shumë më të mirë se sa në vitin e shkuar”.

Ndeshjet e edicionit tretë të Ligës së Kombeve zhvillohen në muajin qershor dhe shtator të vitit të ardhshëm.