Sport

Munishi: Jemi për titull të kampionit

Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, është shprehur i lumtur me fitoren e arritur ndaj Ballkanit me rezultatin 1:0. Trajneri Munishi ka përgëzuar lojtarët e tij për angazhimin në këtë sfidë.

Me fitore Gjilani ka siguruar pozitën e parë për stinorin vjeshtor të Superligës, që përfundoi me ndeshjen në Suharekë. Golin e vetëm e realizoi Gerhard Progni. Ai shënoi supergol me goditje nga distanca.

“Për Prognin çfarëdo që diskutohet është e tepërt. Momentet më të mira të karrierës së tij dhe lojën më të mirë është duke e treguar në Gjilan, ka qenë lojtar i jashtëzakonshëm. I falënderoj djemtë pasi kemi pasur ndeshje të fortë, kundërshtar të mirë që di të luaj futboll. Janë të gjithë lojtarë të mirë dhe kundërshtar që në momente ka qenë më i mirë se ne. Por ne e kemi shfrytëzuar përvojën e lojtarëve tanë, cinizmin. E kemi njohur kundërshtarin shumë mirë. Cale dhe Torrasa kanë qenë vendimtar te goli i Prognit, që ka qenë një gol spektakolar. Me të vërtet e kanë kuptuar edhe lojtarët strategjinë dhe i përshtatemi çdo kundërshtari për të arritur rezultat pozitiv. Jemi për titull kampion, jemi skuadër shumë e fortë dhe kemi bërë ndeshje shumë të mira”, deklaroi Munishi.