Sport

Abazi nuk i njeh kundërshtarët, i bindur se Kosova U17 do të kualifikohet në Evropian

Descriptive Text

Në muajin tetor të këtij viti, Përfaqësuesja U17 e Kosovës në futboll arriti një rezultat të mirë, duke e kaluar raundin e parë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2022, që ndryshe njihet si “Main Round”. “Dardanët” e rinj u kualifikuan në “Elite Round”, pasi përfunduan në pozitën e dytë në grup, duke u renditur pas Sllovenisë. Ndërkohë, të mërkurën në mesditë, kjo grupmoshë i ka mësuar edhe kundërshtarët e raundit elit e që është faza e fundit para kualifikimit në Kampionatin Evropian. Kosova U17 do të përballet me Italinë U17, Ukrainën dhe Poloninë, në kuadër të Grupit të gjashtë kualifikues. Ndeshjet e “Elite Round” do të zhvillohen në muajin mars të vitit të ardhshëm. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar se në cilin shtet do t’i luajë Kosova ndeshjet e grupit. Tetë fituesit e grupeve dhe shtatë vendet e dyta me rezultatet më të mira prej tetë grupeve, sa janë gjithsej në “Elite Round”, do të kualifikohen në Evropian, ku do t’i bashkohen Izraelit që është nikoqir i ngjarjes së madhe evropiane për këtë grupmoshë. Përzgjedhësi i Kosovës U17, Arsim Abazi, ka thënë për KOHËN se është i kënaqur me shortin. Edhe pse nuk i njeh kundërshtarët, Abazi beson se ekipi i tij do të përfundojë në vendin e parë dhe do të kualifikohet në Evropianin e vitit të ardhshëm.

“Unë jam i kënaqur me shortin. Mendoj se kemi gjasa për të kaluar grupin dhe të kualifikohemi në Kampionatin Evropian. Ne kemi krijuar një skuadër shumë të mirë me lojtarë shumë cilësorë. Kam besim të plotë se mund ta kalojmë grupin. Unë kam shumë besim në ekipin tim. Kemi bërë një grup të lojtarëve, të cilët në skuadrat e tyre ku ata luajnë, janë lojtarë kyç dhe kanë minutazhë të mjaftueshme”, u shpreh Abazi.

Ai e pranon se nuk ka njohuri për kundërshtarët. Mirëpo, shton se do të kenë kohë të mjaftueshme që t’i analizojnë përfaqësueset me të cilat do të përballen.

“Kundërshtarët nuk i njohim se sa janë të mirë. Por tani kemi kohë dhe do t’i marrim ndeshjet e tyre për t’i analizuar dhe të shohim se me çfarë kualiteti do të kemi punë. Sigurisht do të përgatitemi maksimalisht për t’u përballur me ta”, tha Abazi.

Pavarësisht se nuk ka informacione për Italinë, Ukrainën dhe Poloninë, Abazi e bazon besimin e tij për kalimin e grupit te cilësia që ka brenda ekipit. Ai thekson se lojtarët e Kosovës U17 e kanë dëshmuar këtë në ndeshjet e luajtura gjatë muajit tetor.

“Lojtarët e Kosovës U17 e kanë dëshmuar se janë cilësorë edhe në ndeshjet e kaluara, ku arritëm të kualifikohemi në ‘Elite Round’. Bëhet fjalë për lojtarë cilësorë dhe të cilët besoj se do ta japin maksimumin edhe në ndeshjet e radhës që janë shumë të rëndësishme për kualifikim në Kampionatin Evropian”, përfundoi Abazi.

Kampionati Evropian i kësaj grupmoshe do të mbahet në Izrael nga 16 maji deri më 1 qershor të vitit të ardhshëm. Në fillim të tetorit, Kosova U17 zhvilloi tri ndeshje kualifikuese dhe u rendit në vendin e dytë. Mposhti Austrinë U17 në duelin e parë me rezultatin 1:0. Golin e fitores e shënoi Elton Krasniqi që luan për të rinjtë e Hannoverit. Në ndeshjen e fundit, Kosova humbi nga Sllovenia 1:0. Kualifikimin tutje e siguroi në duelin e fundit kundër Ishujve Farore me shifrat 1:0. Golin që në fund pati vlerën e kalimit në “Elite Round” e shënoi Arijon Bllaca. Me gjashtë pikë të mbledhura, “Dardanët” përfunduan në vendin e dytë, me tri pikë më pak se Sllovenia.

Kundërshtarët e Kosovës, Italia dhe Ukraina, në raundin e parë fituan grupet e tyre. Italia pati tri fitore në po aq ndeshje, kurse Ukraina dy fitore dhe një humbje, ndërkohë, sikurse Kosova, edhe Polonia U17 e siguroi kualifikimin nga pozita e dytë. Polakët kishin pesë pikë, pas një fitoreje dhe dy barazimeve. Kjo është hera e dytë që grupmosha U17 e Kosovës do të paraqitet në “Elite Round”. Herën e parë, Kosova në këtë raund luajti në vitin 2018, ku Kosova përfundoi në vendin e parë në grup me gjashtë pikë, pas dy fitoreve dhe një disfate. Por, në “Elite Round”, përfaqësuesja kosovare nuk ia doli të marrë asnjë fitore, duke u eliminuar me tri humbje.