Sport

“Më pëlqen të mendoj se jam më i miri në La Liga”

Descriptive Text

“Ai është lojtari më i mirë në ligë”, tha trajneri i Real Sociedadit, Imanol Alguacil në muajin shtator, pasi skuadra e tij sapo kishte mundur Granadan për të dalë e treta në La Liga, tri pikë prapa Real Madridit. Ai nuk po fliste për golashënuesin më të mirë të ligës, Karim Benzeman, apo Luka Modriqin, fituesi i vetëm i mbetur i “Topit të Artë” në këtë kampionat. Ai nuk i referohej një prej talenteve të rinj të Barcelonës, si Ansu Fati apo Pedri, apo edhe 34-vjeçarit Luis Suarez, i cili disa muaj më parë kishte fituar titullin e kampionit me skuadrën e Atletico Madridit. Dhe, nëse dikush ka ndonjë dyshim për fjalët e Imanolit, trajneri i Sociedadit ua heq të gjitha dilemat.

“E kam thënë edhe më parë dhe do ta them sërish në rast se nuk është e qartë”, tha ai. “Mikel Merino është lojtari më i mirë në La Liga”.

Sociedadi nuk është më lider në La Liga, por Merino e mbajti për katër javë rresht në vendin e parë. Sociedadi ka 29 pikë, shtatë më pak se Real Madridi, që është lider pas 15 xhirove të zhvilluara deri më tani. Merino si futbollist është rritur te Osasuna, ekip me të cilin ka debutuar në moshën 18-vjeçare. Që atëherë, Merino ka qenë në Borussia Dortmund dhe Newcastle, duke u kthyer në Spanjë me Real Sociedadin. Këtë edicion ka qenë lojtar i spikatur në një skuadër që padyshim është befasi. Mirëpo, a ndihet Merino si lojtari më i mirë në Spanjë?

“Çdo vit ndihem më mirë dhe më i rëndësishëm. Për të qenë i sinqertë, po. Ndihem sikur ... mirë, nuk do të them si më i miri në La Liga, por më pëlqen të mendoj se jam një nga më të mirët”, tha Merino. “Ky besim më ka bërë të përmirësohem shumë kohët e fundit”.

Lavdërimet e Imanolit mund të vërtetohen të shtunën, nëse Merino del fitues përballë mesfushës së Real Madridit, të përbërë nga Modriq, Casemiro e Toni Kroos. Sociedadi luan në shtëpi dhe Merino thotë se është një mundësi e mirë për ta zbutur dallimin e pikëve me Realin.

“Të jemi në krye apo çfarëdo qoftë, sinqerisht nuk na intereson për momentin. Ne vetëm duhet ta fitojmë këtë ndeshje dhe në fund të jemi kampion”, tha Merino. “Ka gjithmonë momente kur këmbët tuaja funksionojnë më mirë dhe këtë e pres në duelin ndaj Real Madridit. Synimi është të luftojmë për kreun e tabelës sa më gjatë që të jetë e mundur”.

Merino ka të drejtë për fjalët e tij. Është një mision paksa i vështirë i Sociedadit, klub që në radhët e veta e ka 60 për qind të lojtarëve nga provinca lokale Gipuzkoa dhe ku 16 lojtarë nga skuadra aktuale kanë ardhur nga sistemi i të rinjve. Ish-mesfushori i Sociedadit, Xabi Alonso, është në krye të ekipit B, ndërsa Imanol ka luajtur dhe ka drejtuar si ekipin B ashtu edhe atë A.

“Që kur erdhi Imanol, ai e ka bërë shumë të qartë se çfarë dëshiron. Mënyra se si ai i transmeton idetë do të thotë se ai nxjerr më të mirën nga ne”, tha Merino. “Dhe arsyeja tjetër që po ecim kaq mirë është akademia. Ne kemi një ekip që është i ekuilibruar, me disa lojtarë nga jashtë që sjellin gjëra që lojtarët nga këtu nuk i kanë, por edhe lojtarë vendas, të cilët i bëjnë fansat tanë krenarë”.

Merino është diku në mes, jo produkt i “Zubietas”, qendra e famshme e trajnimit të Real Sociedadit, por vështirë se mund të llogaritet si i huaj, pasi është rritur vetëm 80 kilometra larg.

“Unë vij nga Osasuna dhe ka një ide të ngjashme atje se si të edukohen lojtarët dhe fëmijët. Njerëzit kanë vlera të ngjashme, të jenë të përulur, modestë, punëtorë, mjedisi ku ata jetojnë është shumë i ngjashëm. Pra, edhe pse nuk jam nga Reali, ardhja këtu ishte si të kthehesha në shtëpi”, tha Merino.

Merino sjell njohuri nga periudhat e tij në Angli dhe Gjermani, ku luajti nën drejtimin e Rafael Benitezit te Newcastle dhe Thomas Tuchelit sa ishte në Borussia Dortmund.

“Tuchel ishte gjithmonë shumë metodik, me ide shumë specifike”, tha Merino. “Ai këmbënguli në rëndësinë e mbajtjes së topit, pasimeve të thjeshta që në realitet e bënin diferencën”.

Viti i Merinos në Newcastle u dëshmua formues edhe nëse atij nuk i jepeshin mundësitë që do të dëshironte.

“Po, kam mësuar shumë në Premier League”, tha ai. “Si ta përdorësh trupin tënd, si të shkosh në betejë, si të përballosh kaq pak kohë me top. Kur isha atje, isha 20 ose 21 vjeç dhe në atë moshë je si një sfungjer, thith gjithçka. Këto detaje në shumë mënyra më kanë bërë ky që jam tani”.