Sport

Me gjithë krizën financiare, Drenica synon që ndaj Ballkanit ta ndalë serinë negative

Skuadra e Drenicës synon t’i japë fund serisë negative në ndeshjen kundër liderit të tabelës, Ballkanit.

Në gjashtë ndeshjet e fundit Drenica ka regjistruar po aq humbje, duke rënë në pozitën e gjashtë me 20 pikë, dhjetë më pak se Ballkani. Rënia e formës së Drenicës, pas startit të mirë që e pati, ka ardhur edhe si pasojë e problemeve financiare të klubit. Te Drenica kanë paralajmëruar se nuk e synojnë me çdo kusht fitoren. Ndaj Ballkanit do të kryente punë edhe barazimi. Kështu ka insistuar sulmuesi i Drenicës, Kreshnik Uka, që është golashënuesi më i mirë i ekipit me nëntë gola të realizuara.

Dueli mes Drenicës dhe Ballkanit zhvillohet të shtunën prej orës 13:00 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj. I takon xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në futboll.

“Mendoj se atmosfera është e mirë mes lojtarëve dhe stafit teknik, pavarësisht problemeve financiare që i kemi si klub. Megjithatë, ne kemi vendosur që t’i luajmë ndeshjet e mbetura dhe pastaj do të presim për një zgjidhje më të mirë, si për klubin, ashtu edhe për lojtarët”, është shprehur Uka të premten. “Sa i përket ndeshjes, e kemi parasysh që përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë, që e njohim shumë mirë dhe nuk është rastësisht në krye të tabelës. Jemi gati për ndeshjen dhe do të futemi për rezultat pozitiv në këtë takim, që do të ishte më se i nevojshëm për ekipin tonë në këto momente”.

Në ndeshjen e parë të luajtur në Suharekë, Drenica ishte në avantazh prej dy golave, përpara se të humbte me shifrat 3:2.

Te Ballkani kanë zgjedhur heshtjen para këtij takimi, në të cilin futen pas katër fitoreve e dy humbjeve në gjashtë ndeshjet e fundit.

Ndërkohë Gjilani po shpreson në gabimin eventual të Ballkanit në Skenderaj. Gjilani, që është i dyti në tabelë me një pikë më pak se Ballkani, të shtunën luan në shtëpi me Malishevën. Skuadra e Gjilanit është në serie pozitive në kampionat, ku nuk di për humbje në 11 ndeshjet e fundit.

Mbrojtësi i krahut të majtë, Yll Hoxha, është optimist se do të vazhdojnë me këtë ritëm edhe në duelin ndaj Malishevës, e cila në ndeshjen e parë ia mori një pikë Gjilanit.

“Ndeshja nuk do të jetë aspak e lehtë, e respektojmë maksimalisht kundërshtarin. Në ndeshjen e parë luajtëm baras dhe për këtë arsye është një ekip që duhet vlerësuar. Megjithatë ne jemi përgatitur mirë dhe kërkojmë pikët maksimale në këtë takim”, ka thënë Hoxha. “Jemi të kompletuar dhe shpresojmë të vazhdojmë ecurinë pozitive për të qenë sa më afër objektivave që ka vendosur klubi për këtë edicion”.

Skuadra e Malishevës është e shtata me 18 pikë të mbledhura dhe në këtë përballje futet pas fitores që e arriti vikendin e shkuar në shtëpi ndaj Drenicës (2:0).