Sport

Unitedi e nis epokën me Rangnickun në krye

Ralf Rangnick e refuzoi një ofertë të Chelseat për trajner të përkohshëm sezonin e kaluar. Por, ai nuk ka mundur t’i thotë jo Manchester Unitedit.

63-vjeçari gjerman e mbajti konferencën e parë për shtyp të premten si trajner i përkohshëm.

Rangnick pasi ta përfundojë këtë edicion do ta ketë rolin e këshilltarit në klub, por ai mund të qëndrojë edhe më shumë si trajner i skuadrës.

Pasi e pa fitoren ndaj Arsenalit nga tribuna, Rangnick do ta ketë testin e parë si trajner të dielën në orën 15:00, kur luan në shtëpi ndaj Crystal Palacet në kuadër të xhiros së 15-të.

Crystal Palace është skuadër që ka fituar 2:0 kundër Manchester Cityt si mysafir në Premier League këtë edicion. Skuadra e fundit londineze që i ka fituar të dy ndeshjet kundër skuadrave nga Manchesteri, është Arsenali që këtë sukses e kishte arritur në sezonin 1990/91.

“Djajtë e kuq” nuk kanë fituar ndaj Crystal Palacet në edicionin e kaluar, barazuan një herë dhe një tjetër takim e humbën.

Unitedi është në vendin e shtatë dhe 12 pikë larg liderit, Chelseat. Në garë për titull sivjet janë edhe Manchester City dhe Liverpooli.

Lideri Chelsea do ta hap në fakt këtë fundjavë kur ballafaqohet me West Hamin në udhëtim, në orën 13:30.

Kampioni në fuqi, City luan kundër Watfordit po ashtu në udhëtim. Në udhëtim do të jetë edhe Liverpooli që takohet me Wolverhamptonin.

Xhiroja e 15-të në Premier League mbyllet të hënën në orën 21:00 me takimin mes Evertonit dhe Arsenalit.