Sport

Kupa Arabe nuk sjell entuziazëm futbolli në vendin që e organizon Botërorin

Descriptive Text

Kur ka mbetur më pak se një vit deri te fillimi i Kampionatit Botëror “Katari 2022”, turneu “Kupa Arabe 2021” po ofron një test për këtë vend. Megjithatë, një vizitë në Doha tregon se ka shumë punë për të bërë, duke mos e përmendur atmosferën që nuk ekziston fare. Kryeqyteti i Katarit i ngjan një kantieri masiv ndërtimi: grumbuj dheu kudo, rrugë të reja të shtruara, hotel pas hoteli që po ngrihet lart.

Midis komplekseve të reja të apartamenteve dhe qendrave tregtare, ekskavatorët dhe kamionët bllokojnë trafikun, i cili është shndërruar në një kaos të vërtetë me pluhur. Duke parë këtë, banorët kryesisht po udhëtojnë me autobus ose po e shfrytëzojnë metronë e re. Në Katar biznesi individual duhet të zërë vendin e dytë; Kupa e Botës po vjen në këtë vend, ose më mirë në një qytet: Doha, ku janë ndërtuar tetë stadiume të reja futbolli për turneun e dhjetorit të vitit 2022, të kompletuara me teknologjinë dhe komoditetet më të fundit.

Tani duhet përfunduar e gjithë infrastruktura dytësore dhe koha po mbaron për Katarin. Prova finale ka filluar tashmë, me Kupën Arabe - një zëvendësim i Kupës e Konfederatave të ndërprera, të cilin e fitoi Gjermania para Botërorit të vitit 2018 – që nisi të martën dhe përfundon më 18 dhjetor. Turneu përfshin 16 ekipe nga bota arabe që konkurrojnë për gjashtë vende të Kupës së Botës, është një test për të parë nëse Katari është vërtet i aftë të organizojnë një superngjarje globale. Sigurisht që nuk ka mungesë parash: investimet në këtë shkallë nuk janë problem për sheikët në një vend ku rezervat e bollshme të naftës dhe gazit garantojnë një rrjedhë të qëndrueshme prej miliarda dollarësh. Pyetja kryesore është nëse gjithçka do të funksionojë mjaft mirë që Katari të rrisë praninë e tij edhe më tej në skenën botërore.

Nuk ka kohë për futboll

Për ta bërë këtë Katari ka rekrutuar qindra mijëra punëtorë emigrantë nga bota në zhvillim për të menaxhuar vendet e ndërtimit dhe për të operuar ekskavatorët që dominojnë peizazhin e qytetit. E megjithatë, shumica e punëtorëve nga Bangladeshi, India, Tibeti dhe Pakistani nuk kanë dëgjuar kurrë për Kupën Arabe.

“Jo”, tha një burrë, me fytyrën e errësuar nga një kapele, shall dhe syze dielli. “Çfarë është Kupa Arabe? Nuk kam dëgjuar kurrë për të”.

Edhe një person tjetër afër tij e tundi kokën në shenjë mohimi kur u pyet se a ka dëgjuar për Kupën Arabe të futbollit. Një shëtitje nëpër qytet në mënyrë të pashmangshme ju çon poshtë në “Doha Corniche”, shëtitorja shtatë kilometra e gjatë përgjatë Gjirit të Dohas, ku janë ankoruar lundrat e vjetra. Dikur ato shërbenin si varka peshkimi ose si platforma për zhytje. Tani, ato janë atraksione turistike që ofrojnë turne me varkë për vizitorët. Por biznesi vështirë se po lulëzon.

“Korona”, shpjegon pronari i njërës prej varkave, Noor, i cili të paktën ka dëgjuar për Kupën Arabe. “Në fakt më pëlqen futbolli argjentinas mbi të gjitha, por kam një biletë për ndeshjen e dytë në grup të Katarit kundër Omanit të premten”.

Megjithatë, në përgjithësi, nuk është befasi që punëtorët nuk janë veçanërisht të interesuar. Më vonë pasdite, kur dielli fillon të perëndojë, mijëra mund të shihen duke hipur të rraskapitur në autobusë të cilët do t'i transportojnë ata përsëri në dhomat ku banojnë. Atje ata do të përpiqen të kenë diçka për të ngrënë e për të pirë dhe të rimarrin fuqinë e tyre përpara punës së ditës së nesërme. Kush ka kohë të shqetësohet për futbollin?

Mungon atmosfera e famshme e futbollit

Në fakt, nuk vërehet fare që ka atmosferë të futbolli. Madje, as në ditën e hapjes të Kupës Arabe – të martën – ku Përfaqësuesja e Katarit triumfoi 1:0 ndaj Bahrejnit. Nuk kishte asnjë tifoz në rrugë, pa fanella, shalle apo flamuj, dhe pa ekrane të mëdha. As ekrane të vogla nuk kishte nëpër lokale. Vetëm reklama e çuditshme e telefonit celular që shfaq futbollistë. Përveç 2.5 milionë punëtorëve emigrantë të vlerësuar, Katari është gjithashtu shtëpia e rreth 300.000 “vendasve”, shumë prej tyre të pasur që nga lindja. Edhe për këta banorë, futbolli është më shumë një çështje private, një hobi që zhvillohet në televizion.

“Njerëzit shikojnë futboll në shtëpi me familjet e tyre këtu në Katar”, raporton një kontraktues gjerman, i cili punon për një konsorcium që menaxhon hotele, restorante dhe parqe tematike.

Por njerëzit nuk i shikojnë ndeshjet edhe në lokale; Nuk ka asnjë kulturë të daljes nëpër lokale në Katar, ku jeta dominohet nga një formë strikte e Islamit. Me alkoolin e ndaluar dhe ahengjet ekstravagante të kundërshtuara, pikat kryesore sociale përfshijnë mbrëmjet dinjitoze në një restorant ose ndoshta një bisedë në një kafene me çaj ose shisha. Ata që shkojnë në një stadium futbolli po ashtu nuk kanë pije edhe pse zgjedhin shërbimin VIP.

“Në një ndeshje këtu disa javë më parë ishin vetëm disa qindra njerëz në stadium”, thotë kontraktuesi. “Dhe disa donin ta shikonin atë vetëm në televizion në sallën VIP, gjithsesi. Këtu nuk ka atmosferë futbolli siç pretendohet”.

Tradita e futbollit arab

E megjithatë bota arabe ka një kulturë futbolli historike dhe fanatike. Nga Tunizia dhe Maroku, në të gjithë Afrikën Veriore në Egjipt dhe deri në Jordani dhe Liban, derbi spektakolar zhvillohen në stadiume të stërmbushura ku atmosfera është e zjarrtë. Futbolli është i rrënjosur thellë në shoqëri; klubet përfaqësojnë rajone të ndryshme, fise të ndryshme feje ose klasa të ndryshme socio-politike.

Por në Katar? 18 klubet në të ashtuquajturën “Liga e Yjeve të Katarit” luajnë pothuajse ekskluzivisht në Doha dhe ndërkohë që vendasit e lartpërmendur mund të shprehin interes për një skuadër apo një tjetër, legjionet e punëtorëve emigrantë nuk kanë lidhje dhe ndeshjet në ligën kryesore të Katarit shpesh tërheqin më pak tifozë sesa lojërat amatore evropiane. E megjithatë, një skenë në një qendër tregtare në lagjen “Al Qassar” jep arsye për shpresë. Në një tezgë të vogël me një tabelë që reklamonte Kupën Arabe është krijuar një radhë e konsiderueshme njerëzish. Dy vullnetarë me bluza të FIFA-s, dukshëm të befasuar nga interesimi, janë të zënë me kamera, laptopë dhe printerë, duke nxjerrë me nxitim biletat e personalizuara për ndeshjet e ardhshme.

“Kjo është një shenjë e mirë. Ndoshta, interesimi për futboll në Katar po rritet në prag të Kampionatit Botëror”, tha njëri nga shitësit e biletave.