Sport

Ndërpritet ndeshja e grupit të Kosovës në të cilën Norvegjia udhëheq 9:0

Futbollistet e Norvegjisë ishin duke udhëhequr 9:0, në momentin kur u vendos që të ndërpritet ndeshja ndaj Armenisë.

Armenia e Norvegjia po përballeshin në Jerevan të martën pasdite, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2023. Norvegjia ka dominuar plotësisht ndaj Armenisë dhe deri në minutën e 69-të ka shënuar plot nëntë gola. Më pas ndeshja u ndërpre për shkak të mjegullës së dendur.

Pjesa tjetër e ndeshjes, që natyrisht është vetëm formalitet, do të luhet të mërkurën. 45 minutave pas ndërprerjes arbitri vendosi që ndeshja nuk mund të vazhdonte dhe se ajo do të vazhdojë nesër.

“Për të thënë më së buti, është e veçantë. Ne mendojmë që ndeshja ka mundur të përfundohet, por arbitri pretendon se pamja është shumë e zbehtë. Ne është dashur të anulojmë një ndeshje në të cilin po udhëhiqnim 9:0 pas 70 minutave. Nuk është optimale, por nuk mund të bëjmë asgjë kundër rregullave”, ka thënë menaxheri i përfaqësueses së Norvegjisë, Martin Sjoegren.

Norvegjezet shënuan tre gola në pjesën e parë dhe gjashtë të tjerë para se arbitri të marrë vendimin.

“Ne e rritëm ritmin në pjesën e dytë dhe golat shënoheshin pa ndalur. Do të shënonim gola të tjerë sikur ndeshja të vazhdonte sot. Synimi është të shënojmë më shumë gola kur 20 minutat e mbetur të luhen nesër”, ka shtuar Sjoegren.

Norvegjia ndeshjen e ardhshme e luan pikërisht ndaj Kosovës, më 7 prill të vitit të ardhshëm. Pa llogaritur ndeshjen me Armeninë, Norvegjia ka katër fitore e një barazim në kuadër të grupit F.

Ndërkohë Armenia i ka humbur të gjitha pesë ndeshjet e deritashme. Madje disa prej humbjeve i ka shumë të thella.

Nga Norvegjia kishte humbur 10:0 në Oslo në ndeshjen hapëse të kualifikimeve. “Vetëm” 1:0 pësoi në shtëpi nga Polonia e më pas 5:0 nga Shqipëria në Tiranë. Edhe Kosova e mposhti 1:0, me gol të shënuar në minutën e 87-të, më 26 tetor. Belgjika arriti fitore rekord ndaj Armenisë, 19:0, më 25 nëntor në Leuven.

Mjegulla e dendur “shtyu” për të mërkurën kompletimin e një humbje tjetër turpëruese për armenet.