Si ekipi i vetëm nga Kosova që këtë edicion paraqitet në garat evropiane të volejbollit, Peja synon të ketë “prezantim dinjitoz”.
Kampionia në fuqi dhe fituesja e Kupës së Kosovës në konkurrencën e meshkujve, Peja, të mërkurën nis rrugëtimin e saj në garat evropiane. Kundërshtarin e parë në kuadër të Challenge Cup, niveli i tretë i garave evropiane, Peja nuk do ta ketë aspak të lehtë. Përballë Pejës do të jetë ekipi nga Portugalia, AJ Fonte Bastardo Azores. Ky ekip aktualisht është lider në kampionatin portugez.
Ndeshja e parë do të luhet në palestrën “Karagaçi” në Pejë, të mërkurën prej orës 18:00. Kurse ndeshja e kthimit do të luhet pas një javë në Portugali. Këto ndeshje i takojnë 1/16 të finales të Kupës Sfiduese, që për nga rëndësia është pas Ligës së Kampionëve dhe Kupës CEV.
Te Peja e kanë parasysh se kundërshtari nga Portugalia është favorit në letër, por premtojnë se angazhimi i tyre nuk do të mungojë. Synimi i pejanëve është të bëhet një paraqitje e mirë në të dy ndeshjet. Kështu ka insistuar njëri prej volejbollistëve më të mirë te Pejës, Bardhyl Hajdaraj. Ai ka thënë se kanë pak njohuri për kundërshtarin portugez, por ka shtuar se bëhet fjalë për një super-skuadër dhe këtë e dëshmon pozita e parë në tabelë. Si Peja, ashtu edhe kundërshtari i saj garat në Challenge Cup i fillojnë nga ky raund.
“Kundërshtari ynë në Challenge Cup është momentalisht kryesues i tabelës në Superligën e Portugalisë. Bëhet fjalë për një superekip, që është shumë i përforcuar dhe me cilësi shumë të lartë. Natyrisht që nuk e njohim mjaftueshëm, por në bazë të xhirimeve që i kemi shikuar presim të jetë një duel shumë i fortë”, është shprehur Hajdaraj të martën.
“Ne presim që të kemi një paraqitje sa më të mirë dhe ta dëshmojmë veten edhe në këtë nivel evropian. Synimi i Pejës është më se i qartë, të provojmë çdo mundësi që na del përpara dhe të prezantohemi denjësisht”.
Skuadra AJ Fonte Bastardo Azores ka dy tituj kampioni të fituar në elitën e volejbollit të Portugalisë, suksese që i ka regjistruar në vitin 2011 dhe 2016. Ndërsa e ka fituar edhe Kupën e Portugalisë në vitin 2013. Prej vitit 2005 është pjesë e Superligës së Portugalisë.
“Ne kemi një ekip të kombinuar mes lojtarëve më përvojë dhe atyre të rinj, të cilët do ta kenë mundësinë të luajnë në nivelin evropian, që besoj se do të jetë e rëndësishme për të ardhmen e tyre”, ka shtuar Hajdaraj.
Këtë edicion, edhe kampionia e Kosovës në konkurrencën e femrave, Drita, ka luajtur në skenën ndërkombëtare. Mirëpo, ekipi gjilanas ka evituar pjesëmarrjen në kupat evropiane për të luajtur në Kupën Ballkanike, ku nuk kishte ndonjë sukses.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.