Sport

Howe refuzon të premtojë se Newcastle do të bëjë shpenzime të mëdha

Trajneri Eddie Howe thotë se do të ishte “marrëzi” që ai të premtonte se skuadra e fundit në Premier League, Newcastle, do të bëjë shpenzime të mëdha në afatin e janarit, për të shmangur rënien.

Trajneri i ri festoi ditëlindjen e 44-t të hënën, duke përgatitur Newcastlen për ndeshjen e së martës kundër Norwichit, me skuadrën që ende kërkon fitoren e parë të edicionit pas 13 ndeshjesh.

Newcastle, që humbi 2:0 në udhëtim te Arsenali të shtunën, është gjashtë pikë larg zonës së sigurisë në fund të tabelës, por ka dy ndeshje jetike në shtëpi, kundër Norwichit dhe Burnleyt.

Pronarët e rinj të Newcastlet, të mbështetur nga Arabia Saudite, kanë treguar se do të investojnë ndjeshëm në skuadër, por trajneri Howe e di se ai nuk mund të mbështetet vetëm në shpenzimin e parave për të ruajtur statusin e anëtarit të Premier Leagues. I pyetur nëse para angazhimit si trajner ishte siguruar se do të ketë mbështetje financiare dhe transferime të mëdha në afatin kalimtar të janarit, Howe u përgjigj: “Nuk mund të bëj asnjë premtim në lidhje me këtë, por mund të premtoj se njerëzit mbi mua, pronarët, do ta mbështesin ekipin dhe do të më mbështesin mua në përpjekjen për të arritur synimin që e kemi. Kjo është gjithçka që mund të them në këtë moment”.

Ai madje insistoi se është i fokusuar në lojtarët që i ka në skuadër dhe jo transferimet që Newcastle mund t’i bëjë gjatë afatit kalimtar të janarit.

“Do të ishte marrëzi nga unë të bëja premtime apo deklarata të nxituara se do të bëjmë shpenzime të mëdha. Prioriteti im për momentin është të marr më të mirën nga lojtarët që kemi”, tha Howe.

Megjithatë, Howe ka parë shenja përmirësimi në ekipin e tij në dy ndeshjet që kur e zëvendësoi Steve Bruce në postin e trajnerit. Ai pranon se dobësitë në mbrojtje duhet të zhduken nëse duan të tërhiqen nga telashet.

“Unë nuk mendoj se ka ndonjë kufizim se çfarë mund të arrijmë me grupin e lojtarëve që kemi këtu”, u shpreh ai. “Ne duhet të përmirësojmë paraqitjen, të përmirësojmë rezultatet dhe pasi të kthehet besimi në ekip mendoj se do të shihni një ekip tjetër. Por sulmi dhe mbrojtja janë gjithmonë një ekuilibër delikat për çdo ekip dhe ne vetëm duhet ta bëjmë atë siç duhet”.

Howe, i cili do të jetë pa mbrojtësit e suspenduar Jamaal Lascelles, kapitenin e tij dhe Matt Ritchien, do ta udhëheqë ekipin për herë të parë në stadiumin “St James' Park”. Në ndeshjen e kaluar nuk ishte në gjendje ta drejtonte ekipin për shkak se doli pozitiv në testin për koronavirus.

“Shpresoj që të jem me fat dhe ta fitojmë këtë ndeshje, pasi kemi më shumë se kurrë nevojë për këto tri pikë ndaj Norwichit”, shtoi Howe.