Sport

Ralf Rangnick emërohet trajner i përkohshëm i Manchester Unitedit

Ralf Rangnick e ka marrë edhe zyrtarisht detyrën e trajnerit te Manchester Unitedi. Ekipi nga premier League të hënën e ka konfirmuar Rangnickun në krye të ekipit.

Në njoftimin e Unitedit, thuhet se Rangnick është trajner i përkohshëm dhe ka firmosur kontratë deri në fund të këtij edicioni. Megjithatë, ai është pajtuar që pas trajnerit, punën te Manchester Unitedi ta vazhdojë edhe për dy vjet tjera në rolin e këshilltarit.

“Jam shumë i emocionuar që do t’i bashkohem Manchester Unitedit dhe jam i fokusuar ta bëjë këtë sezon të suksesshëm për klubin. Ekipi është i mbushur me lojtarë të mirë, një balancim mes atyre me përvojë dhe të rinjve. Fokusi im gjatë këtyre gjatë muajve do të jetë që këta lojtarë ta tregojnë potencialin e tyre të plotë. E pas kësaj, unë do ta përkrahi klubin në mënyrë afatgjate si këshilltar”, ka thënë Rangnick.

Ekipi do ta udhëheqë Michael Carrick derisa Rangickut t’i rregullohet dokumentacioni për të udhëtuar në Britani.