Sport

Çiro Blazheviq: Mos shprehni keqardhje për mua, kam pasur jetë të mirë

Trajneri legjendar kroat, Miroslav Çiro Blazheviq, po vuan nga një sëmundje e rëndë. 86-vjeçari vlerësohet prej trajnerëve më të mirë në Kroaci, ndërsa ka shumë tifozë edhe në Kosovë. Ai mbahet mend për punën që kishte bërë te Prishtina, në vitet tetëdhjeta.

“Trajneri i gjithë trajnerëve” po lufton sërish me një formë të kancerit. Sëmundja karcinoma i është diagnostikuar për herë të parë në vitin 2011. Dy herë e ka mposhtur, por këtë vit i është shfaqur sërish.

“Kur u thonë se keni kancer në metastazë, mendon se është fundi. Por unë nuk dorëzohem. Do të luftoj deri në fund ndaj kësaj sëmundjeje më të keqe. Metastazat më janë lajmëruar në eshtra. Dikush tjetër do të ngrinte duart, por unë do të luftoj deri në fund, deri në fitore”, ka thënë Blazheviq, përcjellin mediat kroate të dielën.

Blazheviq ka udhëhequr Prishtinën në vitin 1985, për pak muaj. E kishte ndihmuar skuadrën më të madhe kosovare që të mbetet në elitën e ish-shtetit federativ. Gjatë karrierës së gjatë e të suksesshme ka udhëhequr shumë skuadra. Suksesin më të madh e ka arritur me Kroacinë, duke fituar medaljen e bronztë në Botërorin 1998. Është prej figurave më të përfolura të regjionit, sa i takon futbollit. Deklaratat e tij kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë bujë.

“Nuk kam dëshira të paplotësuara. Do t’i lusja të gjithë që të mos shprehin keqardhje për mua, pasi jam para shkuarjes. Gjithnjë kam pasur jetë të mirë. Nga armiqtë kam bërë të paktën gjysmë-shokë e më pas edhe shokë. Jam krenar me veten. Kurrë nuk kam debatuar dhe nuk jam grindur”, ka shtuar Blazheviq.

Ai ka thënë se titulli më i dashur është ai që e ka fituar me Dinamon në vitin 1982. Dinamo kishte përfunduar para Cërvena Zvezdës së Beogradit.