Sport

Jonathan David po shndërrohet në një makineri golash për Lillen

Jonathan Davidit iu desh ca kohë për t'u adaptuar në klubin francez Lille . Në fakt, tre muaj. Ai shënoi golin e tij të parë në ligë vetëm një vit më parë pasi iu bashkua Lillet nga Genti në gushtin e kaluar. Që atëherë, 21-vjeçari kanadez është bërë një nga sulmuesit e rinj më të kërkuar në Evropë. Goli i Davidit në mesjavë në fitoren 1:0 kundër Salzburgut në Ligën e Kampionëve ishte i 11-i i tij këtë sezon në të gjitha garat. Vetëm Erling Haaland (13 gola) ka shënuar më shumë në të gjitha garat mes lojtarëve të lindur në vitin 2000 ose më vonë në pesë ligat më të mira evropiane.

Goli i tij, i cili erdhi pas dy golave në ligën franceze fundjavën e kaluar, i siguroi Lillet fitoren e parë në shtëpi në turneun elitar të klubeve të Evropës në 15 vjet. Nuk ishte gol spektakolar, por kërkonte llojin e vizionit gjakftohtë që zotërojnë sulmuesit e klasës botërore. Pasi shoku i skuadrës Burak Yilmaz u fut në zonë, David ishte i përgatitur kur topi papritur i erdhi përpara. Në një fraksion të sekondës, ai e dërgoi topin në rrjetë me këmbën e majtë.

“Më pëlqen që po shënoj gola”, tha ish-mesfushori i kthyer në sulmues. “Por gjëja më e rëndësishme është të fitojmë. Nëse golat dhe puna ime e ndihmojnë ekipin, jam i lumtur. Jam në formë të mirë, por është një përpjekje kolektive, sepse shokët e mi të skuadrës më vënë në situatat më të mira për të përfunduar aksionet”.

Reparti i Paris Saint-Germainit është i mbushur me yje, i përbërë nga Neymar, Lionel Messi dhe Kylian Mbappe, merr titujt kryesorë, por David po dëshmohet të jetë gjithashtu një tërheqje e madhe me këtë lloj shkëlqimi. David është golashënuesi më i mirë i ligës franceze me dhjetë gola - që përbën më shumë se gjysmën e totalit të Lillet - përpara ndeshjes të së shtunës kundër Nantesit. Sidoqoftë, Lille nuk ka pasur konsistencë në mbrojtjen e titullit të ligës për të ngritur një tjetër sfidë ndaj PSG-së. PSG-ja, që viziton Saint-Etiennen të dielën, është në krye të tabelës me 11 pikë më shumë sesa Nice që zë vendin e dytë. Kur mbërriti në Lille, David nuk ishte gati të luante në ligën franceze që njihet për qasje shumë mbrojtëse. Ai nuk njihte askënd në skuadër përveç Timothy Weah dhe ishte në mbipeshë. Zëvendësimi i të larguarit Victor Osimhen, që iu bashkua Napolit, doli të ishte shumë i vështirë fillimisht pasi David nuk arriti të shënonte në 13 ndeshjet e tij të para në të gjitha garat. Sulmuesi i jep meritë ish-trajnerit të Lillet, Christophe Galtier për dhënien e “mentalitetit vrasës”, i cili që atëherë e ka ndihmuar të lulëzojë në një rol qendror së bashku me Yilmazin.

“Një sulmues duhet të shënojë në çdo ndeshje. Kur mbërrita, nuk e kisha atë mentalitet vrasës. Trajneri më foli shumë për këtë. Ai më ndihmoi duke më inkuadruar në lojë, duke përsëritur se kishte besim tek unë, se po bëja gjërat e duhura dhe se ato do të shpërbleheshin”, tha David.

David, i cili lindi në New York dhe u transferua në Port-au-Prince në Haiti kur ishte tremuajsh, ishte gjashtë vjeç kur familja e tij u vendos në Otava. Ai bëri debutimin e tij ndërkombëtar në vitin 2018 dhe tani është një element kyç i Përfaqësueses së Kanadasë, që kërkon të avancojë në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1986.

“Ai është një dhuratë absolute”, tha përzgjedhësi i Kanadasë, John Herdman. “Ajo që më pëlqen te Jonathani është fakti që ai është shumë i vendosur për të shënuar gola. Unë e quaj atë ‘Njeriu i Akullit’. Ai nuk ka ndonjë emocion, por thjesht shënon gola dhe na ndihmon shumë”.

David ka kontratë me Lillen deri në vitin 2025 dhe klubi nga Ligue 1 e ka parasysh interesimin e skuadrave të tjera për sulmuesin kanadez, të cilit tashmë i ka caktuar një klauzolë lirimi në vlerë prej 50 milionë eurosh.