Brazili dhe Argjentina tashmë kanë siguruar pjesëmarrjen e tyre direkte në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm, por po i qasen Katarit shumë ndryshe. Brazili ka testuar - dhe do të vazhdojë të testojë - disa lojtarë për pothuajse të gjitha pozicionet, madje edhe pozitën e Neymarit, ndërsa dominoi në kualifikimet e Amerikës së Jugut për botërorin “Katari 2022”.
Përzgjedhësi Tite po përpiqet të gjejë variacione që e bëjnë ekipin e tij më pak të parashikueshëm ndaj rivalëve kryesorë, siç thonë shumë kritikë që ndodhi në eliminimin e Brazilit në çerekfinale të Kupës së Botës të vitit 2018 kundër Belgjikës. Ndërkohë, përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, po i jep besim një grupi startues të shpeshtë që e ndihmoi Lionel Messin të fitonte Kupën e Amerikës në muajin korrik. Argjentinasit shpresojnë se lojtarët si Rodrigo de Paul, Leandro Paredes dhe Giovani lo Celso do të sjellin mbështetjen që i nevojitet 34-vjeçarit Messi për t'i udhëhequr ata drejt një titulli të Kupës së Botës.
Të dy qasjet kanë funksionuar. Argjentina luajti pa gola ndaj Brazilit të mërkurën në shtëpi dhe siguroi vendin e saj në Katar, kur Kili humbi 2:0 ndaj Ekuadorit të vendit të tretë. Brazili kishte siguruar tashmë pozitën e parë prej katër pozitave të Amerikës së Jugut që dërgojnë direkt vitin tjetër në Katar. Tite ka eksperimentuar me kombinime të ndryshme që nga humbja e finales së Copa Americas nga Argjentina në stadiumin “Maracana”. Ndonëse u festua shumë nga argjentinasit, disfata në finale pati pak ndikim te Brazili. Mirëpo peshonte shumë mbi individët. Ishte rasti i mbrojtësit të krahut të majtë, Renan Lodit, mesfushorit defansiv Douglas Luizit dhe sulmuesit Everton, mungesat e të cilëve u dhanë hapësirë lojtarëve të tjerë. Që nga raundet kualifikuese në shtator, Brazili ka gjetur lojtarë të rinj të mundshëm dhe lojtarë të besueshëm për të shtuar thellësinë e ekipit. Sulmuesi i krahut, Raphinha, dhe qendërmbrojtësi Eder Militao duket se do ta mbyllin vitin si lojtarë kyç, duke zëvendësuar Richarlisonin dhe Thiago Silvan. Mesfushori Fabinho u dëshmua të jetë një pretendues kur Casemiro mungon. Ndërsa Vinicius Junior tregoi një dhunti si Neymari në barazimin 0:0 me Argjentinën, kur e zëvendësoi yllin e dëmtuar të Pari Saint-Germainit. Tite ka gjetur gjithashtu opsione të reja si Antony dhe Matheus Cunha, të cilët kanë treguar qëndrueshmëri për të qenë në grup nëse është e nevojshme. Richarlison, golashënuesi më i mirë i Brazilit në garën për medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Tokios, dhe Roberto Firmino, deri vonë një nga titullarët e rregullt të ekipit, tani janë duke pritur për një tjetër rast. Gabriel Jesus, i cili është ulur në stol, duket se është lojtari i radhës që po e pret shansin nga Tite. Në shtator Tite tha se kampanja kualifikuese për Kampionatin Botëror i lejon atij që të bëjë më shumë eksperimentime me ekipin.
“Në vitin 2018 nuk mundëm ta bënim një gjë të tillë, sepse duhej të forcoheshim dhe të kualifikoheshim. Tani kampanja jonë na lejon të japim më shumë mundësi për më shumë lojtarë potencialë”, insistoi Tite.
Ai nuk është zmbrapsur që atëherë, edhe kundër rivalit si Argjentina. Homologu i tij, Lionel Scaloni, i cili do të jetë për herë të parë në një botëror si trajner, i ka bërë argjentinasit të besojnë sërish se mund të fitojnë titullin e tretë të Kupës së Botës. Dhe, kjo nuk është vetëm për shkak të Lionel Messit. Scaloni ka sjellë një forcë të re me mesfushorët De Paul, Paredes dhe Lo Celso për të lejuar yllin e ekipit, Messin, të bëjë atë që bën më së miri; të shënojë gola. Nën drejtimin e Scalonit, Argjentina nuk e ka humbur asnjë ndeshje që nga gjysmëfinalja e Copa Americas në vitin 2019 kundër Brazilit. Që atëherë, Argjentina i dha fund pritjes së saj 28-vjeçare për titull kundër rivalit të amerikano-jugor në “Maracana” dhe ka avancuar me lehtësi në kualifikimet e Kupës së Botës. Titulli i Kupës së Amerikës i ka dhënë gjithashtu Scalonit lojtarë kyç që rrallë zëvendësohen - shumë ndryshe nga paqëndrueshmëria që skuadra përjetoi vitet e fundit. De Paul i ka dhënë Argjentinës një forcë lëvizëse në tërë fushën dhe ka fituar besimin edhe të tifozëve. Bashkëmoshatari i tij në mesfushë, Lo Celso, ka krijuar pesë raste shënimi në këto kualifikime, një më shumë se Messi dhe De Paul. Ndërsa sulmuesi Lautaro Martinez ka ndarë rolin e shënimit të golave dhe krijimit të mundësive me Messin; deri më tani ai ka shënuar pesë dhe ka dhënë tri asistime. Scaloni ka gjetur edhe lojtarë të rinj për mbrojtjen e tij. Portieri Emiliano Martinez ishte pak i njohur kur luajti për herë të parë për Argjentinën në fillim të këtij viti. Tani ai është një hero kombëtar.
Mbrojtësi Cristian Romero ishte gjithashtu relativisht i panjohur në mesin e tifozëve të Argjentinës përpara se ta dëshmonte veten këtë vit.
“Ne duhet të luajmë gjithmonë njësoj”, tha Scaloni kur u pyet për formulën e tij për sukses. “Për mua nuk ia vlen nëse një lojtar i imi luan në një mënyrë të caktuar kundër Venezuelës dhe në një mënyrë tjetër kundër Brazilit”.
Brazili kryeson grupin e kualifikimeve të Amerikës së Jugut me 35 pikë, gjashtë më shumë se Argjentina, kur kanë mbetur edhe katër raunde deri në fund. Dallimi i vërtetë midis rivalëve të mëdhenj mund të matet vetëm një vit më vonë në Katar.