Mbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi, pranon se e kaluara e errët e viteve të fundit të karrierës së tij te Arsenali dhe Schalke nuk mund të fshihet. Por, ai ka theksuar se me transferimin te Levante në La Liga ka filluar një tjetër kapitull në karrierë. Thotë, madje se nuk i kanë mbetur edhe shumë vjet karrierë. Mustafi është 29-vjeçar, ndërsa me Përfaqësuesen e Gjermanisë ka fituar Kupën e Botës. Mustafi te Levante u transferua në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës si lojtar i lirë. Ai tregon edhe arsyet pse u vonua në gjetjen e klubit të ri.
“Nuk mund ta fshish të kaluarën, qoftë e keqe apo e mirë të jetë ajo. Për një futbollist është gjithmonë e rëndësishme të mbyllë një kapitull dhe të fillojë një tjetër. Vetëm atëherë mund të funksiononi dhe të jeni në nivelin tuaj më të lartë. Kjo është arsyeja pse u desh shumë kohë për të vendosur. Doja të mbyllja një skenë te Schalke, që sinqerisht dhemb shumë. Unë shkova atje në janar kur ata ishin të fundit në tabelë dhe e dija se do të ishte shumë e vështirë për të shpëtuar, por doja të jepja gjithçka për t’i ndihmuar ata të ishin në elitë”, ka thënë Mustafi për “levante-emv.com”. “Megjithatë, e vetmja gjë për të cilën jam në dijeni është se nuk më ka mbetur shumë në futbollin aktiv. Një karrierë futbolli nuk është e gjatë, por me 29 vjetët e mia dua ta përfundojë mirë. Për mua është shumë e rëndësishme, jo vetëm për shkak të asaj që ka ndodhur në të kaluarën, por sepse e di që nuk më kanë mbetur edhe njëzet vjet në futboll. Në atë që më ka mbetur, dua të jem më i miri dhe që njerëzit, në fund të karrierës sime, të kenë kujtime të mira për mua”.
Me skuadrën elitare të Spanjës qendërmbrojtësi shqiptar ka kontratë deri në qershor të vitit 2023. Ai te Levante u transferua nga Schalke, që nuk siguroi mbijetesën në Bundesligën e Gjermanisë. U kritikua shumë për paraqitjet e tij. Kritika pati edhe në periudhën e fundit para se të largohej nga Arsenali. Ndërkohë, karrierë të suksesshme pati te Valencia dhe Sampdoria.
“Çdo klub dhe çdo sezon ka momentet e veta. Për Schalken ishte keq që nuk e siguroi mbijetesën. Është një klub i madh me histori të madhe. Tani jam këtu, por e di që ende duhet ta fitojmë ndeshje. Nuk mund të isha në shumë ndeshje i pranishëm për shkak të lëndimit, por tani ajo që dua është të filloj të luaj rregullisht dhe të gjej ritmin që mund ta jap kontributin tim për ekipin”, është shprehur Mustafi.
Ai ka treguar edhe për zhvillimin e negociatave, para se të bindej nga projekti i skuadrës së Levantes.
“Ishte e rëndësishme për mua të shkoja në një vend, ku mendoj se mund të luaj përsëri në nivelin tim. Shumë kohë përpara se të vendosja për Levanten, kam qenë në kontakt me presidentin. Kam folur shumë me të dhe shumë njerëz të tjerë në klub. U ndjeva shumë i dashuruar, diçka që për mua është thelbësore kur marr një vendim. Kur ndien se klubi të do shumë dhe e di se çfarë mund t’i japësh skuadrës, atëherë e kupton se duhet ta bësh hapin”, ka thënë Mustafi.
Mustafi ka luajtur gjashtë ndeshje këtë edicion, ndërsa në tri të fundit pushoi shkaku i lëndimit. Ai pret të kthehet në fushë të premten, në ndeshjen kundër Athletic Bilbaos.
Levante është në vendin e parafundit në tabelë me gjashtë pikë të tubuara. Është klubi i vetëm që nuk e ka shënuar asnjë fitore në La Liga këtë edicion pas 13 ndeshjeve, duke regjistruar gjashtë barazime dhe shtatë humbje.