Sport

Përfaqësueset evropiane që u kualifikuan në Botëror

Tashmë janë përcaktuar dhjetë përfaqësueset e para evropiane që do të luajnë në Botërorin e vitit të ardhshëm. Të martën mbrëma kanë përfunduar kualifikimet e rregullta evropiane, ndërsa ka mbetur të zhvillohet edhe plejofi.

Spanja, Serbia, Zvicra, Franca, Belgjika, Danimarka, Holanda, Kroacia, Anglia, Gjermania janë përfaqësueset tashmë të kualifikuara.

Përmes plejofit kualifikohen edhe tri përfaqësuese tjera. Në plejof paraqiten gjithsej 12 përfaqësuese. Luhen ndeshje gjysmëfinale dhe finalet. Pra janë tri finale dhe tri përfaqësuese që avancojnë në Botëror.

Dhjetë skuadrat e vendeve të dyta nëpër grupe luajnë në plejof e po ashtu dy përfaqësueset e ranguara më së miri në Ligën e Kombeve, që në kualifikimeve nuk ishin në dy pozitat e para në grup. Portugalia, Skocia, Italia, Rusia, Suedia, Uellsi janë bartës në short. Ndërsa Turqia, Polonia, Maqedonia e Veriut e Ukraina nuk janë bartës.

Prej Ligës së Kombeve janë kualifikuar Austria dhe Çekia. Në renditjen e përgjithshme të Ligës së Kombeve, Austria ishte e 18-ta, ndërsa Çekia e 19-ta. Natyrisht Austria e Çekia nuk janë bartës në short.

Shorti i plejofit tërhiqet më 26 nëntor, ndërsa ndeshjet janë në mars të vitit të ardhshëm.