Përderisa Lionel Messi dhe Kylian Mbappe kanë pushtuar ballinat për Paris Saint-Germainin këtë sezon, forma e dobët e sulmuesit Neymar është bërë shqetësuese për klubin nga kryeqyteti francez. Braziliani ka shënuar vetëm një gol në tetë ndeshje këtë edicion, dhe atë e realizojë nga penalltia në fitoren 2:1 kundër skuadrës së Lyonit.
I tronditur nga dëmtimet e vogla dhe të shpeshta - siç ka qenë qëkur u transferua nga Barcelona për një tarifë rekorde në vitin 2017 - Neymar ka luajtur 90 minuta në vetëm pesë nga 15 ndeshjet që i ka zhvilluar PSG-ja këtë edicion në të gjitha garat.
Në barazimin 0:0 të fundjavës së kaluar në Marsejë, në duelin me rivalitetin më të madh të futbollit francez, ai nuk pati kurrfarë ndikimi dhe u zëvendësua nga mesfushori Georginio Wijnaldum në pjesën e dytë. Neymar - i cili në maj e zgjati kontratën deri në vitin 2025 - ka shënuar vetëm tre gola nga loja e hapur në vitin 2021 dhe nuk ka shënuar asnjë gol në Ligën e Kampionëve që nga dhjetori i vitit të kaluar. Rënia e dukshme në paraqitjet e tij ka ardhur qëkur Mauricio Pochettino u emërua trajner i PSG-së në muajin janar.
“Neymari është një lojtar kreativ dhe jashtëzakonisht i talentuar. Unë jam i kënaqur me të, ndonëse ende nuk e ka shfaqur formën e tij më të mirë”, ka pranuar trajneri i PSG-së, Pochettino. “E kemi parasysh se duhet të luajmë më mirë kolektivisht, në mënyrë që të nxjerrim më të mirën prej lojtarëve, por nuk është lehtë. Pavarësisht se jemi në krye të Ligue 1 dhe të grupit në Ligën e Kampionëve, ne po punojmë që të luajmë edhe më mirë dhe shpresoj që edhe futbollistët do të reflektojnë pasi ende nuk janë përshtatur me njëri-tjetrin”.
I pyetur se a ka gjasa që Neymari të jetë në bankën e rezervistëve në të ardhmen, Pochettino ka lënë të hapur mundësinë. Megjithatë, trajneri ka pranuar se jo vetëm te PSG-ja, por në të gjitha klubet, lojtarët që po qëndrojnë në stol nuk po janë aspak të kënaqur.
“Ai mund të jetë titullar, por edhe të jetë rezervist, sikurse çdo lojtar tjetër në ekipin tonë. Secili prej lojtarëve që nuk është startues apo zëvendësohet mund të mos jetë i kënaqur, por ky është realiteti, jo vetëm te PSG-ja”, është shprehur Pochettino.
Mbetet të shihet nëse sulmuesi 29-vjeçar do ta rikthejë formën e tij për ta ndihmuar Parisin këtë edicion të luftojë për të gjithë trofetë e mundshëm, posaçërisht për Ligën e Kampionëve. Edhe vetë Neymari ka pranuar ditë më parë se synon këtë trofe ta fitojë së bashku me Lionel Messin. Për kartonin e Neymarit, PSG-ja pati paguar 222 milionë euro.