Sport

Lille, kampioni në fuqi që tani synon mbetjen në Ligue 1

Descriptive Text

Në vend që ta sfidojë kreun e tabelës në Ligue 1, kampioni në fuqi, Lille, po përpiqet vetëm të sigurojë qëndrimin në elitën e futbollit francez për edicionin e ardhshëm.

Në fakt, Lille po angazhohet maksimalisht të mbetet jashtë zonës që dërgon në një kategori më poshtë. Lille ka pasur telashe këtë edicion dhe nuk është aspak ekipi që edicionin e shkuar e fitoi titullin e kampionit të Francës, duke befasuar të gjithë. Aktualisht zë vendin e dhjetë në ligën që përbëhet prej 20 ekipeve.

Ndeshja e radhës nuk do t'i bëjë gjërat më të lehta për Lillen. Kampioni të premten përballet me liderin Paris Saint-Germainin – ekipin që e mundi sezonin e kaluar ne garën për titullin e kampionit. Pastaj ka një udhëtim tjetër të vështirë, te Sevilla në Ligën e Kampionëve, të martën.

“Është e vështirë, sepse me të vërtetë dua të kemi një sezon të mirë ku mund të luftojmë për të paktën katër vendet e para në tabelë. Si kampion në fuqi e kemi shumë të vështirë ta pranojmë faktin se jemi në një situatë të tillë, ku po luftojmë për të ikur nga zona e rënies”, ka pranuar qendërmbrojtësi i Lillet, portugezi Jose Fonte. “Nuk kam frikë të luaj kundër Parisit apo të luaj kundër Sevillas. E di që lojtarët shfaqen gjithmonë në ndeshjet e mëdha, por situata aktuale më shqetëson sepse nuk kam pritur të jemi në një gjendje të tillë”.

Lille e mposhti PSG-në 1:0 për të fituar Trofeun e Kampionëve - një ndeshje midis kampionit të ligës dhe fituesit të Kupës. Ndeshja ishte luajtur në gusht. Pastaj e mundi Marseillen 2:0 në ligë këtë muaj, kështu që ka shenja që klubi mund të përsërisë formën e vitit të kaluar. Por, skuadra që humbi vetëm tri ndeshje sezonin e kaluar, tashmë i ka pësuar katër disfata pas vetëm 11 xhirove në Ligue 1.

Afati kalimtar i verës sigurisht se ka pasur ndikim te Lille, që të mos jetë ekipi i sezonit të shkuar. Lille e shiti portierin Mike Maignan te Milani, mesfushorin Boubakary Soumare te Leicesteri dhe sulmuesin e krahut, Luiz Araujon, tek Atlanta United. Ndërkohë, PSG-ja solli Lionel Messin nga Barcelona, ​​Sergio Ramosin nga Real Madridi, Gianluigi Donnarumman nga Milani, Georginio Wijnaldumin nga Liverpooli, Achraf Hakimin nga Interi dhe Nuno Mendesin nga Sportingu.

Sulmuesi i Lillet, Jonathan David, është golashënuesi më i mirë në kampionat me shtatë gola të realizuar, por Burak Yilmaz dhe Jonathan Bamba kanë qenë më pak produktivë, sesa edicionin e kaluar. Lille humbi gjithashtu edhe trajnerin që ia fitoi titullin, Christophe Galtier, i cili tani është në krye të skuadrës tjetër nga Franca, Nice.

“Ne krijojmë më shumë shanse se sezonin e kaluar kur skuadra luajti shumë mirë,” tha Jocelyn Gourvennec, pasardhësi i Galtierit. “Megjithatë, ne duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha rastet që po i krijojmë gjatë ndeshjeve. Këtë situatë nuk e ka pritur askush, por nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi. Do të vazhdojmë dhe do të shohim se ku do të përfundojmë, ndonëse dëshira ishte të luftonim për ta mbrojtur titullin e fituar”.

PSG-ja kryeson në tabelë me 28 pikë, 13 më shumë se Lille, ndërsa Lensi është në pozitën e dytë me 21 pikë të mbledhura. Te Lille po shpresojnë se kundër PSG-së të japin një sinjal si kampionë në fuqi, ndonëse pranojnë se nuk është lehtë.

“Është një ndeshje ku duam rezultat pozitiv, por nuk do të jetë aspak lehtë”, pranoi sulmuesi David.

PSG-ja në këtë ndeshje do të jetë pa Kylian Mbappen dhe Lionel Messin, të cilët sipas trajnerit Mauricio Pochettino nuk janë të gatshëm për lojë. Pochettino të enjten ka bërë të ditur se ndaj Lillet nuk do t’i ketë në dispozicion as Ander Herreran e Mauro Icardin.