Sport

Trajneri i Dortmundit është lodhur nga tifozët që po futen në fushë

Trajneri i Borussia Dortmundit, Marco Rose, është lodhur nga hyrja e tifozëve në fushë. Ai ka thënë se drejtuesit e skuadrës duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar që tifozët e klubit të hyjnë në fushë gjatë ndeshjeve që Dortmundi i luan në shtëpi. Rose po frikësohet se kjo dukuri mund ta dëmtojë ekipin e tij dhe shpreson që prej ndeshjes së ardhshme të mos lejohen lëshime të tilla nga ana e klubit. Në fillim të këtij muaji, sulmuesi i Dortmundit, norvegjezi Erling Haaland, u detyrua t’ia japë fanellën një tifozi, që e kishte pushtuar fushën.

“Kjo nuk duhet të lejohet në asnjë mënyrë, sepse nuk është në rregull që pothuajse në çdo ndeshje të kemi situata kur nga tre apo katër tifozë futen në fushë”, është ankuar Rose.

Trajneri Rose e bëri këtë kërkesë pasi një tifoz tjetër i Dortmundit u fut në fushë të martën mbrëma me të përfunduar ndeshja kundër Ingolstadtit në kuadër të Kupës së Gjermanisë. Dortmundi e fitoi këtë ndeshje me rezultatin 2:0, ndërsa tifozi arriti t’ia merrte fanellën mesfushorit brazilian, Reinier. Rose e sheh këtë dukuri si shqetësim të madh. Në fakt, ndeshja me Ingolstadtin është e treta rresht që Dortmundit po i futen tifozët në fushë. Rasti i parë ka ndodhur kur sulmuesi Haaland festoi golin e shënuar me një tifoz të Dortmundit, i cili përfundoi me fanellën e Yllit të Norvegjisë.

“Duhet të gjejmë një zgjidhje që kjo të mos ndodhë çdo fundjavë”, tha Rose, i cili ndihmoi të shoqëronte tifozin për ta lëshuar fushën ndaj Ingolstadtit. “Unë mund t'i kuptoj tifozët që përpiqen të marrin një fanellë, por në thelb të gjithë e dinë se ne duhet të përpiqemi ta ndalojmë këtë dukuri, sepse nuk më duket që është normale të kemi telashe të tilla në secilën ndeshje që e luajmë në shtëpi”.

Sipas Roses, nëse tifozët fillojnë të veprojnë në këtë mënyrë, atëherë Dortmundi duhet të mos luajë fare. Rose thotë se nëse nuk ndërmerren masa menjëherë, do të ketë probleme në ndeshjet e tjera, kur dihet se stadiumi “Signal Iduna Park” ka një kapacitet prej 80.000 mijë ulëseve.

“Nëse 80 mijë tifozë vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë, ne duhet ta ndërpresim punën dhe të mos luajmë fare”, shtoi Rose.

Trajneri shpjegoi se ai ndërhyri të martën për të parandaluar sjelljen e ashpër të zyrtarëve të sigurimit ndaj tifozët që e kishte pushtuar fushën. Megjithatë, ai e pranoi se ata vetëm po e kryenin punën e tyre.

“Askush nuk duhet të lëndohet dhe për këtë arsye shkova për ta qetësuar situatën, ndonëse zyrtarët e sigurimit vetëm po mundoheshin ta bënin punën e tyre. Shpresoj që në ndeshjet e tjera që i luajmë në shtëpi mos të kemi më situata të tilla, të cilat mund të na shkaktojnë probleme”, u shpreh Rose. “Edhe tifozët duhet të tregohen më përgjegjës dhe ta kuptojnë se nuk mund të futen në fushë”.

Dortmundi edhe këtë edicion po e sfidon Bayern Munichun, që po e kërkon titullin e dhjetë rresht në Bundesligë. Pas nëntë xhirove të zhvilluara në kampionat, Dortmundi zë vendin e dytë në tabelë me 21 pikë, një më pak se Bayerni që është lider.