Sport

Ylli i Bayernit, Kimmich, në qendër të debatit për vaksinimin kundër COVID-it

Ylli i skuadrës së Bayernit, Joshua Kimmich, papritmas e ka gjetur veten në qendër të një debati të ashpër në Gjermani mbi dobitë e vaksinimit kundër koronavirusit. 26-vjeçari Kimmich, i cilësuar si kapiteni i ardhshëm i Gjermanisë për cilësitë e tij drejtuese, konfirmoi gjatë fundjavës së shkuar se ai ende nuk e ka ndërmend të vaksinohet kundër COVID-19 për shkak të shqetësimeve të tij për “mungesën e studimeve afatgjata” në efektet e vaksinave.

Kimmich tha se ai ishte ende duke e konsideruar vaksinimin dhe shtoi se ka gjasa të vaksinohet, por nuk bëri të ditur se kur e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. Komentet e tij u mirëpritën nga partia e krahut të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila ka kundërshtuar vazhdimisht masat kundër koronavirusit, ndërsa ato çuan në shqetësim të madh tek ata që po përdorin vaksinat si një rrugë kthimi drejt normalitetit në një kohë kur shkalla e infeksionit po ngjitet sërish në Gjermani.

“Sa më shumë njerëz të vaksinohen, aq më pak i rrezikshëm do të jetë virusi”, tha të martën trajneri amerikan i Leipzigut, Jesse Marsch.

Instituti i shëndetit publik i Gjermanisë raportoi se pak më shumë se 55 milionë njerëz, ose 66.2 për qind e popullsisë, ishin plotësisht të vaksinuar. Fëmijët nën 12 vjeç nuk vaksinohen.

Ekspertja mjekësore Alena Buyx, presidente e Këshillit gjerman të Etikës, tha se Kimmich është “kapur nga dezinformatat. Ai këshillohet shumë keq. Kjo është diçka që tani është përhapur dhe do të ishte mirë nëse ai do të përdorte platformën e tij për të marrë këshilla më të mira për të qenë një model në këtë aspekt”.

Po ashtu, Buyx shtoi: “Është e rëndësishme të sqarohet se këto forma të efekteve afatgjata nuk ekzistojnë”.

Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Seibert, tha se kishte “përgjigje të qarta dhe bindëse” për pyetjet e Kimmichut nga ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë dhe se ai shpresonte që “Kimmich të lejojë që të gjitha këto informacione të funksionojnë mbi të dhe më pas ai mund të vendosë në favor të vaksinimit”.

Ngurrimi i Kimmichut për t'u vaksinuar befasoi shumë për shkak të përfshirjes së tij në ngritjen e fushatës për mbledhjen e fondeve “We Kick Corona” me shokun e ekipit të Bayernit dhe Gjermanisë, Leon Goretzkan në mars të vitit 2020. Së bashku, ata mblodhën miliona që organizatat sociale dhe bamirëse të vazhdojnë të punojnë gjatë pandemisë, ndërsa një pjesë e këtyre parave shkuan edhe për shoqatat mjekësore.

“Ne gjithashtu dhuruam për UNICEF-in, i cili vuri në dispozicion vaksinat. Çështja ishte se ka edhe vende që nuk kanë qasje në vaksina”, tha Kimmich të shtunën pas fitores së Bayernit ndaj Hoffenheim. “Mendoj se secili duhet të marrë vendimin për veten e tij dhe nuk mund të ndodhë që dikush të mos ketë qasje. Sepse nëse ju merrni vendimin për ta bërë këtë, atëherë duhet të bëni gjithçka që mundeni për të siguruar që ata të mund të marrin vaksinën”.

Lojtari mohoi të ishte kundër vaksinave dhe shtoi se ka mbetur i befasuar që ka krijuar debat rreth kësaj çështjeje.

“Mendoj se është një turp për debatin, se ka të bëjë vetëm me të qenit i vaksinuar ose jo i vaksinuar dhe nëse nuk je, atëherë automatikisht je mohues i COVID-it ose kundërshtar i vaksinës”, tha Kimmich. “Por ka njerëz të tjerë në shtëpi, mendoj unë, të cilët thjesht po mendojnë rreth vaksinimit. Unë mendoj se ata duhet të respektohen, veçanërisht nëse ata u përmbahen udhëzimeve”.

As liga gjermane e futbollit dhe as klubet nuk bëjnë publike se cilët lojtarë janë të vaksinuar dhe cilët jo. Disa prej tyre janë infektuar me koronavirus që nga fillimi i pandemisë. Kimmich nuk është pothuajse me siguri i vetmi lojtar i Bundesligës që nuk është i vaksinuar, por statusi i tij si lider i Bayernit dhe Gjermanisë – ai ishte kapiten i Gjermanisë në mungesë të Manuel Neuerit kohët e fundit – do të thotë se deklaratat e tij kanë një peshë të shtuar. Megjithatë, liga e futbollit të Gjermanisë (DFL), të martën ka thënë se mi 90 për qind të futbollistëve, trajnerëve nga 36 klubet në Bundesligë dhe Bundesligën 2, i kanë marrë vaksinat kundër koronavirusit.

“Si shembull, por edhe për arsye praktike, do të ishte më mirë nëse ai do të vaksinohej”, tha ish-kryetari i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge.

Pasardhësi i Rummenigges, Oliver Kahn, tha se qëndrimi i Bayernit si klub është se “ne mund t'u rekomandojmë të gjithëve që të vaksinohen, por duhet të respektoni edhe nëse njëri apo tjetri ka një mendim tjetër”.

Trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann, është aktualisht i izoluar në shtëpi pasi ka rezultuar pozitiv me COVID-19, pavarësisht se është vaksinuar plotësisht. Nagelsmann po e përballon mirë sëmundjen dhe i ka përcjellë mesazhe ndihmëstrajnerit Dino Toppmoellerit në dy ndeshjet e fundit. Ndërsa pjesa më e madhe e sezonit të kaluar u luajt pa asnjë tifoz fare të pranishëm në tribuna, këtë sezon ata janë rikthyer në kushte të rrepta. Shumica e klubeve ende funksionojnë sipas të ashtuquajturit rregulli “3G” - spektatorët duhet të vaksinohen kundër COVID-19, të jenë shëruar ose të kenë prova të një rezultati negativ të testit. Por disa lejojnë vetëm tifozët e vaksinuar ose të shëruar të ndjekin ndeshjet. I njëjti rregull nuk zbatohet për lojtarët. Kimmich tha se ai u nënshtrohet testeve rregullisht dhe se ato paguhen nga klubi i tij.

“Si shok, e përkrahi vendimin e tij. Por, si futbollist mendoj se do të ishte më mirë që ai të vaksinohet”, ka thënë bashkëlojtari i Kimmichut, Thomas Mueller.