Mesfushori anglez Jude Bellingham mund të largohet nga Borussia Dortmundi në fund të këtij edicioni, por vetëm për çmimin që i ka caktuar ekipi nga Bundesliga.
Bëhet e ditur se pas interesimit të madh për Bellinghamin, Dortmundi ka vendosur që për kartonin e tij të kërkojë 120 milionë euro.
Te ekipi gjerman nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga kërkesa e lartë për 18-vjeçarin që po shkëlqen këtë sezon. Bellingham iu bashkua Dortmundit vitin e shkuar nga Birminghami dhe me skuadrën nga Bundesliga ka kontratë deri në vitin 2025.
Ai këtë sezon ka realizuar tre gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 14 ndeshje për Dortmundin në të gjitha garat. Gjithashtu, Bellingham ka edhe tetë ndeshje për Përfaqësuesen e Anglisë.