Sport

Van Bommel mund të jetë i pari prej shumë trajnerëve që do të largohen nga Bundesliga

Descriptive Text

Berlin, 25 tetor (AP) – Mark van Bommel u bë trajneri i parë në Bundesligë që e humbi punën këtë sezon kur u shkarkua nga Wolfsburgu të dielën pas vetëm nëntë ndeshjeve kampionale në krye të ekipit. Ai nuk ka gjasa të jetë i fundit. Një pjesë e vogël e trajnerëve të tjerë janë nën presion të madh në Gjermani dhe rasti i Van Bommelit tregoi se sa shpejt klubet mund të humbasin durimin nëse mungojnë rezultatet. Van Bommel e kishte nisur mirë sezonin, me pesë fitore në të gjitha garat, por ish-reprezentuesi holandez bëri një gabim të madh që ishte i pari, kur futi gjashtë zëvendësues në vend të pesë të lejuarve në një fitore në Kupën e Gjermanisë ndaj Muensterit. Wolfsburgu më pas u përjashtua nga gara në favor të skuadrës së nivelit të katërt, dhe megjithëse klubi e largoi mllefin e tifozëve duke ofruar bileta me çmim të ulët dhe duke fituar katër ndeshjet e para të ligës, kjo nuk mjaftoi për Van Bommelin. Ai që nga atëherë ka shkuar në një seri prej pesë ndeshjeve pa fitore në Bundesligë dhe tri tjera në Ligën e Kampionëve. Humbja e xhiros së fundit në shtëpi nga Freiburgu (2:0) ishte e fundit për holandezin si trajner i Wolfsburgut. Ishte edhe një paraqitje e dobët pas humbjeve të njëpasnjëshme nga Salzburgu, Union Berlini dhe Borussia Moenchengladbachu.

“Në fund nuk kishte besim se do të ndryshonim trendin e rezultateve negative për ta përfunduar sezonin ashtu siç e imagjinonim”, tha të hënën drejtori i përgjithshëm Joerg Schmadtke. “Gjithçka ndodhi shumë shpejt, por ky nuk ishte një zhvillim që është marrë parasysh vetëm dje. Ne kemi kohë që si klub e kemi diskutuar ndryshimin e trajnerit”.

Ndihmëstrajneri Michael Frontzeck është emëruar trajneri i përkohshëm. 57-vjeçari ka qenë trajner më përpara edhe te Kaiserslauterni, St. Pauli, Hannoveri e Gladbachu. Wolfsburgu përfundoi i katërti sezonin e kaluar për t'u kualifikuar në Ligën e Kampionëve. Në gjysmë të fazës së grupeve të Championsit është i fundit në tabelë në grupin që përbëhet edhe nga Sevilla, Salzburgu e Lille. Schmadtke tha se vendimi për të shkarkuar Van Bommelin ishte “një humbje për të gjithë”, duke përfshirë veten dhe drejtorin sportiv Marcel Schaefer.

“Është një moment i trishtuar për mua, pasi me shkarkimin e Van Bommelit e kemi pranuar që kemi bërë një gabim”, tha Schmadtke.

Ishte vendimi i Schmadtkes dhe Schaeferit për të mos vazhduar bashkëpunimin me paraardhësin e Van Bommelit, Oliver Glasnerin, pavarësisht punës së tij të mirë me ekipin gjatë dy sezoneve. Kishte fërkime mes Schmadtkes e Glasnerit, dhe austriaku u largua për të marrë Eintracht Frankfurtin në fund të sezonit të kaluar. Por Glasner është një kandidat kryesor për të ndjekur Van Bommelin si trajneri i ardhshëm që do të shkarkohet në Bundesligë. Frankfurti, i cili përfundoi i pesti sezonin e kaluar, aktualisht është i 15-i në tabelë me vetëm një fitore nga nëntë ndeshjet e para nën drejtimin e Glasnerit. Skuadra e tij gjithashtu u eliminua nga Kupa e Gjermanisë në raundin e parë nga ekipi i divizionit të tretë, Waldhof Mannheim. Si trajneri i Augsburgut, Markus Weinzierl, ashtu edhe drejtori i përgjithshëm, Stefan Reuter, janë gjithashtu nën presion pas vetëm një fitoreje në ligë deri më tani. Humbja 4:1 e së premtes të shkuar në Mainz vetëm se ka përkeqësuar situatën në klub.

“Kjo është e papranueshme”, tha Weinzierl.

Pal Dardai i Hertha Berlinit ishte favoriti i hershëm për të humbur punën e tij si trajner pas një fillimi të dobët të sezonit, por lojtarët e tij janë përgjigjur me fitore ndaj Frankfurtit dhe Gladbachut për të lehtësuar presionin ndaj ish-kapitenit të klubit. Greuther Fuerthi ka vetëm një pikë nga nëntë ndeshjet e para, por klubi i promovuar po ruan besimin te Stefan Leitl si trajner për momentin. Ndeshjet e ardhshme do të përcaktojnë se cilët nga trajnerët e kërcënuar do të ndjekin Van Bommelin.