Sport

Disfata në “El Clasico” e lë Barçën “të humbur” në La Liga

Descriptive Text

Barcelonë, 25 tetor – Shqetësimi më i madh ndoshta për Barcelonën në fund të një disfate tjetër në ndeshjen “El Clasico” në “Camp Nou” të dielën ishte se Real Madridi pothuajse nuk e festoi fare triumfin. Kjo ishte një fitore që e dërgoi Madridin në pesë pikë më shumë se Barcelona, një hendek i madh edhe në këtë fazë të hershme të një sezoni në La Liga që ka edhe 29 ndeshje deri në fund. Ishte fitorja e katërt rresht e Realit në “El Clasico”, hera e parë që ka ndodhur në 56 vjet, që e la Barcelonën në pozitën e nëntë në tabelë me vetëm 15 pikë të mbledhura pas nëntë ndeshjeve të zhvilluara deri më tani. Kishte gjëra për të admiruar në paraqitjen e Barcelonës ndaj Realit. E kishte më shumë topin në posedim, më shumë gjuajtje në portë dhe mund të kishte arritur një barazim nëse Sergino Dest do të ishte treguar më i saktë në tentimin e tij me kokë. Sigurisht futbollistët nuk mund të fajësohen për përpjekjet apo ambiciet që i patën në “El Clasico”, ndeshje në të cilën Barça u paraqit me një ekip që i kishte katër lojtarë të moshës 20-vjeç e poshtë. Mesfushori Gavi ishte më i riu. Me 17 vjeç ai ishte titullari më i ri i Barcelonës në këtë ndeshje në tetë dekadat e fundit.

“Ne e kishim dominimin e topit, por nuk arritëm të krijonim raste të pastra shënimi. Më vjen shumë keq për humbjen, sidomos për lojtarët e rinj të ekipit tonë, të cilët u përpoqën maksimalisht”, është shprehur mesfushori i Barcelonës, Sergio Busquets.

Real Madridi ishte ekip më i mirë, ndoshta jo më dominues, por më kërcënues. Fokusi i Realit në këtë takim ishte në kundërsulmet e shpejta duke rrezikuar portën e Barcelonës në disa raste. Në fakt, kjo ishte një nga fitoret më komode të Realit ndaj Barcelonës ndër vite.

“U përballëm me një ekip të madh. Është e vërtetë që vuajtëm, por në fund ia dolëm mbanë dhe arritëm fitoren e gjashtë këtë edicion në La Liga”, ka shtuar Ancelotti.

Është krijuar një bindje se Barcelona kur po përballet me ekipe elitare kohët e fundit po has në vështirësi të mëdha. Qëkur trajneri Ronald Koeman mori drejtimin e Barcelonës, skuadra ka luajtur gjashtë ndeshje kundër Atletico Madridit dhe Real Madridit duke humbur pesë prej tyre dhe duke barazuar vetëm një. Kundër Paris Saint-Germainit në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, Barcelona humbi 5:2 në total. Këtë sezon ata janë mposhtur 3:0 nga Bayern Munichu dhe Benfica në Champions. Me përjashtim të triumfit ndaj Real Sociedadit në xhiron e parë të këtij edicioni, katër fitoret tjera të Barcelonës në të gjitha garat kanë ardhur kundër Getafes, Levantes, Valencias dhe Dynamo Kievit, të gjitha në shtëpi. Shqetësimi është se këto rezultate janë një tregues i nivelit aktual të Barcelonës, që largimet e lojtarëve kryesorë në verë dhe zëvendësimet e dobëta kanë çuar në një rënie të cilësisë që mund t'i lërë ata të luftojnë për të siguruar pozitën e katërt në La Liga, pasi për titullin e kampionit as që bëhet fjalë. Aktualisht Real Madridi, Atletico, Sociedad dhe Sevilla duken në La Liga më të fortë se Barcelona.

“Ne nuk kemi lojtarë të cilësisë që i kishim më parë dhe natyrisht që këtë sezon do të kemi telashe me ekipet e forta. Ky është një ekip që po rindërtohet dhe i duhet ende kohë”, tha sekretari teknik i Barcelonës, Ramon Planes.

Me gjithë rindërtimin, Barcelona sërish nuk mund të shkojë shumë larg. Pasojat financiare të dështimit për t'u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm do të ishin aq të mëdha saqë Koeman nuk ka gjasa të mbetet edhe më tej në krye të ekipit. Barcelona do të përballet me Rayo Vallecanon, Alavesin, Celta Vigon dhe Espanyolin në ndeshjet e radhës në La Liga, dhe fitoret janë më se të obliguara për ekipin e Koemanit. Barcelona ka ende lojtarë të mirë, me gjithë që Frenkie de Jong tani është i lënduar dhe nuk po luan sikurse edicionin e shkuar, ndërsa Ansu Fati ende nuk e ka kthyer formën fizike pas rikthimit nga lëndimi i gjurit. Kthimi i Sergio Agueros, Ousmane Dembeles dhe Pedrit duhet të bëjë një ndryshim të konsiderueshëm në repartin e sulmit.

“Kampionati është shumë i gjatë, ne duhet të vazhdojmë të përmirësohemi”, tha Koeman.

Megjithatë, te Barcelona vazhdojnë të mos jenë të kënaqur. Dy humbje në tri ndeshjet e para të Championsit kanë vënë në dyshim kalimin në fazën e nokautit. Ndërsa vështirësitë po paraqiten edhe në kampionat për të siguruar të paktën pozitën e katërt.

“Ne duhet të vazhdojmë dhe mos të dorëzohemi deri në fund”, insistoi Busquets.