Sport

Fitore e thellë dhe atmosferë festive si “përgjigje” për fyerjet ndaj shqiptarëve

Kishte ngjallur reagim sjellja e tifozëve të Borcit një javë më parë në Banjallukë. Fyerjet ndaj shqiptarëve nuk ishin ndalur gjatë tërë ndeshjes së Kupës Evropiane në hendboll. Tifozët serbë të skuadrës simbol të Banjallukës, qytetit më të madh të Republika Srpskas në Bosnjë-Hercgovinë, kishin bërë thirrje edhe për vrasjen e shqiptarëve.

Borci luante me kampionen e Kosovës, Besa Famgas. Lojtarët e Besës ruajtën qetësinë, luftuan maksimalisht në terren dhe u kthyen me një humbje të pranueshme, 28:25. Ai rezultat jepte shpresë për ndeshjen e kthimit që luhej në Pejë.

Dhe lufta e bërë në Banjallukë doli vendimtare për avancimin e Besës në raundin e tretë të Kupës Evropiane. Përmbysja e madhe e rezultatit u bë të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Atmosfera ishte e zjarrtë, ndonëse në palestër ishin “vetëm” 500 shikues. Ishte paralajmëruar prania e vetëm 200 shikuesve për shkak të masave në fuqi, por ishin të paktën dy herë më tepër.

Besa fitoi bindshëm, 29:22, dhe kështu e kaloi Borcin, ish-kampionin evropian. Tani e pret shortin për ta mësuar kundërshtarin e xhiros së tretë të Ligës Evropiane, nivelit të tretë kontinental në hendboll.

Nuk ka pasur ndonjë incident në ndeshjen në Pejë. Janë lëshuar këngë patriotike, ndërsa ka pasur në thirrje UÇK të paktën në një rast. I gjithë fokusi ishte për të përkrahur lojtarët e Besës. Për të motivuar ata.

Dhe kjo u arrit, ndonëse motivi te lojtarët qartë se ishte në maksimum. Me luftë të madhe dhe duele të forta, lojtarët e Besës që në pjesën e parë nisën shkëputjen. Të frymëzuar nga pritjet e portierit Mursel Mehmeti, lojtarët e Besës u angazhuan maksimalisht, ndonëse kishin lëshime në lojë. Por u paraqitën më mirë se lojtarët e Borcit. Pas pjesës së parë rezultati ishte 18:14 për Besën. I mjaftueshëm për ta përmbysur rezultatin e takimit të parë dhe për të avancuar tutje. Por pjesa e dytë ishte edhe më e mirë. Epërsia e Besës sillej në gjashtë-shtatë gola dhe me kalimin e kohës bëhej më e qartë se Besa po avanconte tutje. Në fund rezultati ishte 29:22, më se i mjaftueshëm për ta rrëzuar Borcin.

“E kemi përgatitur këtë ndeshje për disa javë, pasi e kemi ditur që do të jetë takim tejet i vështirë. Lojtarët kanë treguar gjatë gjithë ndeshjes se e dëshirojnë fitoren dhe krijuan epërsi mbi katër gola, të cilën arritëm ta ruanim e madje edhe ta rrisnim. Pas pjesës së parë kemi biseduar me lojtarët dhe jemi pajtuar që të mos biem në pjesën e dytë. Ishim të koncentruar në maksimum dhe nuk lejuam hapësira për kundërshtarin. Kemi një skuadër të re dhe me lojtarë me përvojë. Lojtarët kanë dhënë maksimumin në këto dy ndeshje”, ka thënë trajneri i Besës, Arben Muqolli.

Besa për herë të parë ka eliminuar Borcin. Vjet ishte eliminuar nga skuadra banjallukase për një gol. Vjet në Banjallukë e në Pejë nuk kishte shikues. Derisa në Pejë çdo gjë rrodhi si më mirë, në Banjallukë kishte pasur shumë mbishkrime në rrugë për Kosovën pjesë të Serbisë. Lojtarët e Besës ishin sharë në hyrje të palestrës nga huliganë serbë. Këtë herë fyerjet u bartën brenda në palestër.

Por Besa e arriti qëllimin. E kalon skuadrën e famshme nga Bosnjë-Hercegovina dhe avancon në raundin e tretë të Kupës Evropiane.

Portieri Mursel Mehmeti u shqua duke bërë 11 pritje. Egzon Gjuka shënoi 7 gola nga 9 tentime, kurse Deniz Terziqi e Kastriot Jupa shtuan nga katër gola. Lojën në fushë e udhëhoqi ish-kapiteni i Bosnjë-Hercegovinës dhe ikona e hendbollit në këtë vend, Nikola Prce. Kontribuuan edhe të tjerët, Balsha Raçiq, Denis Shabanoviq, Arbios Mushkolaj, Jon Muqolli, Arti Luzha.

“Dua të falënderoj tifozët për përkrahjen e madhe dhe motivimin e madh që na dhanë në këtë ndeshje tejet të rëndësishme. Ishim tejet të motivuar për këtë takim. Jemi provokuar në ndeshjen e parë, por kemi ruajtur qetësinë. Kemi bërë një ndeshje të madhe dhe kemi treguar se mund të mposhtim edhe skuadra të forta. Kemi treguar që në Kosovë luhet hendboll dhe jam jashtëzakonisht i lumtur për këtë fitore”, ka thënë Egzon Gjuka.