Sport

Milani mposht me vështirësi Bolognan dhe merr lidershipin e Serie A

Milani nuk pati punë të lehtë në udhëtim te Bologna, pavarësisht se këta të fundit luajtën me dy lojtarë më pak që nga minuta e 58-të.

Milani triumfoi 4:2, por megjithatë ishte një fitore mjaft e vështirë.

Rossonerët shënuan dy gola përmes Leaos (16’) dhe Calabrias (35’). Paraprakisht, Soumaoro i Bolognas ishte ndëshkuar direkt me të kuq.

Me të filluar pjesa e dytë, Bologna arriti të shënonte dy gola të shpejtë pavarësisht se ishte me një lojtar më pak në fushë. Autogoli i Ibrahimoviq (49’) dhe Barrow (52’) baraspeshuan sfidën.

Por për t’ia lehtësuar punën Milanit u përkujdes gjyqtari Valeri, që ndëshkoi direkt me të kuq Sorianon (58’) për ta lënë me nëntë lojtarë në fushë ekipin vendas.

Milani golin e epërsisë e realizoi në të 83-n përmes Bennacer, para se Ibrahimoviq në fund të vuloste rezultatin.

Me këtë fitore, Milani ngjitet në vendin e parë me 25 pikë, një më shumë se Napoli që ka një ndeshje më pak, kurse Bologna e teta me 12 pikë.