Dy skuadrat më të suksesshme në Angli, Manchester Unitedi dhe Liverpooli, do të takohen në “Old Trafford”, të dielën, në derbin e madh anglez.
Manchester Unitedi dhe Liverpooli këtë sezon janë në mesin e skuadrave pretendente për titullin e kampionit. Tek Unitedi pas 12 vjetësh rikthehet të luajë në derbin e zjarrtë Cristiano Ronaldo, që është duke kaluar formë fantastike prejse iu bashkua ekipit në fillim të këtij sezoni. Ronaldo në pesë ndeshje në ligë ka tre gola.
Formë të lartë te Liverpooli këtë edicion ka treguar edhe Mohamed Salah. Sulmuesi egjiptian në tetë paraqitje kampionale ka shënuar shtatë gola dhe ka bërë katër asistime. Për dallim prej Liverpoolit, që është ekipi i vetëm pa humbje në kampionat, Unitedi nuk ka treguar një formë të mirë. “Djajtë e Kuq” janë pa fitore në katër ndeshje e fundit, duke regjistruar tri humbje dhe një barazim. Janë në pozitën e gjashtë me 14 pikë të tubuara, katër më pak se Liverpooli që është i dyti. Të dy skuadrat në këtë derbi futen pas fitoreve të arritura në Champions League.
Ky është derbi i 208-të në histori të të dyja klubeve. Manchester Unitedi ka 81 fitore, Liverpooli 68, ndërsa 58 ndeshje janë mbyllur baras.
Ndeshja e fundit e luajtur në “Old Trafford” kishte përfunduar me fitore të thellë të Liverpoolit prej 4:2.
Te Manchester Unitedi në dyshim për këtë ndeshje mbeten Marcus Rashford dhe Bruno Fernandes, derisa te Liverpooli portugezi Diogo Jota.
Ndeshja Manchester United – Liverpool luhet të dielën nga ora 17:30. Kampioni në fuqi, Manchester City do të kërkojë fitoren në udhëtim te Brightoni. Ndërsa, Chelsea do të jetë nikoqir i Norwichit, ku aktivizohet Milot Rashica.