KB Peja e ka fituar derbin e xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës ndaj kampionit në fuqi, Golden Eagle Yllit. Dueli i luajtur të enjten mbrëma në palestrën “Karagaçi” ka përfunduar me rezultatin e ngushtë 82:78 në të mirë të ekipit vendas.
Me këtë triumf, Peja renditet e para në tabelë me 13 pikë, një më shumë se Prizreni-16 që zë vendin e dytë.
Të dy skuadrat kanë treguar një lojë të mirë dhe rezultati pothuajse tërë kohën ka qenë i ngushtë, ndonëse Peja vazhdimisht ishte në epërsi. Për një moment, epërsia e pejanëve shkoi dhjetë pikë (51:41) gjatë çerekut të tretë që ishte edhe më e larta gjatë tërë ndeshjes.
Me këtë triumf, Peja ka regjistruar fitoren e gjashtë këtë edicion ndërsa Ylli ka përjetuar humbjen e katërt karshi tri fitoreve në shtatë ndeshje të luajtura.
Kapiteni i Pejës, Dardan Berisha ishte më i dalluari duke e përfunduar ndeshjen me 23 pikë të shënuara, ndërsa me lojë të mirë u veçua edhe Stephen Maxwell që shtoi 19 sosh.
Te Ylli, tre basketbollistë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore.
Më efikasi ishte Mikaile Tmushiq me 22 pikë të shënuara, i përcjellë Cameron Williams (20) dhe Erjon Kastrati që krahas 17 pikëve pati edhe dhjetë kërcime.