Sport

Pogba i bindur se Unitedi do të jetë i suksesshëm këtë edicion

Mesfushori Paul Pogba pranon se Manchester Unitedi ka cilësi për të pasur sukses në Ligën e Kampionëve dhe në Premier League. Por francezi thotë se ekipit i duhet ende punë për t’u përmirësuar.

Unitedi të mërkurën mbrëma fitoi 3:2 ndaj Atalantas në Ligën e Kampionëve, edhe pse ishte në disavantazh prej dy golave deri në fillim të pjesës së dytë. Madje pas përfundimit të pjesës së parë tifozët që ishin të pranishëm në tribunat e stadiumit “Old Trafford” filluan t’i vërshëllenin futbollistët duke e ngritur edhe më shumë presionin te trajneri Ole Gunnar Solskjaer, që është në rrezik për t’u shkarkuar. Megjithatë, Unitedi u rikthye me golat e Marcus Rashfordit, Harry Maguires dhe Cristiano Ronaldos për të evituar një humbje tjetër pas asaj në Premier League nga Leicesteri (4:2).

Francezi Pogba ka thënë se ndaj Atalantas ekipi i Solskjaerit tregoi karakterin fitues. Sipas tij, me një karakter të tillë Unitedi mund të ketë sukses të madh këtë edicion.

“Ndaj Atalantas ne treguam karakterin e madh të ekipit. Nëse tregojmë një karakter të tillë edhe në ndeshjet e tjera, atëherë besoj se suksesi nuk do të na mungojë në asnjë garë, sidomos në Ligën e Kampionëve dhe Premier League. Ekipi duhet edhe pak të përmirësohet, por ne po punojmë shumë që të shndërrohemi në një skuadër të pathyeshme, që besoj se do të jemi brenda një periudhe shumë të shkurtër”, është shprehur Pogba të enjten. “Mund të them se fitorja ndaj Atalantas do të na ndihmojë shumë pasi ka kthyer besimin te të gjithë”.

Skuadra e Solskjaerit i ka humbur dy prej tri ndeshjeve të fundit në kampionat dhe Pogba insistoi se ishte e domosdoshme që Unitedi të reagonte pas disfatës nga Leicesteri vikendin e shkuar. Sipas tij, reagimi i ekipit në Champions do të jetë tejet i rëndësishëm edhe në kampionat.

Pas tetë xhirove të luajtura në kampionatin anglez, Unitedi zë vendin e gjashtë në tabelë me 14 pikë, pesë më pak se Chelsea që prin.

“Jo vetëm unë, por të gjithë besojmë se ky ekip mund të arrijë gjëra të mëdha në këtë edicion. Reagimi ishte i nevojshëm ndaj Atalantas pas një serie negative dhe mendoj se ky është një sinjal për rikthimin tonë. Ne duhet të luajmë me atë karakter deri në fund të këtij edicioni pasi vetëm kështu mund të fitojmë trofe”, u shpreh francezi 28-vjeçar, që këtë sezon ka shtatë asistime në 11 paraqitje. “Ka edhe shumë ndeshje deri në fund të edicionit, por ne duhet tashmë të marrim rezultate pozitive në të gjitha garat dhe të mos pësojmë rënie të formës”.

Manchester Unitedi të dielën në shtëpi përballet me Liverpoolin, ndërsa para pushimit të nëntorit për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, skuadra e Solskjaerit do të ketë punë edhe me Manchester Cityn e Tottenhamin.

“I kemi tri ndeshje të rëndësishme me tri klube të mëdha. Ne jemi Manchester Unitedi dhe duhet ta dëshmojmë forcën tonë”, u shpreh Pogba.

Unitedi para fillimit të këtij edicioni ka bërë investime të mëdha në skuadër duke e transferuar Raphael Varanen, Jadon Sanchon dhe Cristiano Ronaldon, që e ka rikthyer pas më shumë se një dekade.