Sport

Stadiumi i finales së “Katari 2022”, pothuajse i përfunduar

Puna në “Lusail Stadium” në Katar, në të cilin do të zhvillohet finalja e Kampionatit Botëror të vitit të ardhshëm, është pothuajse e përfunduar, tha një zyrtar të enjten. Ka mbetur vetëm që kontrollet e sistemeve të konfirmohen nga komisionet përkatëse.

“Ne jemi në përfundim të stadiumit. Punët janë kryer afërsisht 98.5 për qind”, tha Tamim El Abed, menaxher i projektit për stadiumin. “Punimet strukturore, ndërtimet, çeliku, çatitë, janë të gjitha 100 për qind të përfunduara. Pjesa e mbetur prej 1.5 për qind është testimi dhe vënia në punë e sistemeve të shumta, të nevojshme për funksionimin e kompleksit”.

El Abed tha se stadiumi mund të presë 85 mijë ose 86 mijë spektatorë dhe insistoi se të gjithë do të jenë të impresionuar me punën e bërë.

“Tetëdhjetë mijë shikues do të kenë një pamje krejtësisht të papenguar të fushës së lojës. Pra, është një stadium më shumë se modern, do ta quaja ultra-modern, që plotëson të gjitha kushtet”, tha ai.

Stadiumi Lusail është rreth 20 kilometra larg nga kryeqendra e Katarit, Doha, dhe do të presë një numër të ndeshjeve gjatë Kampionatit Botëror, duke përfshirë edhe finalen. Është një nga tetë stadiumet që Katari e ka caktuar për Kupën e Botës, që do të jetë ngjarja e parë e këtij lloji që ndonjëherë është mbajtur në Lindjen e Mesme.

Image

Ky stadium është i veçantë. Është projektuar për të imituar shkëlqimin e një fanari, me hapje të çatisë dhe me fasadë të jashtme të lakuar prej çeliku. “Lusail Stadium” si objekt i ka 3.354 dhoma dhe 40 hyrje, sipas El Abedit. Punimet për ndërtimin e stadiumit kanë filluar në vitin 2018, kurse ai ka kushtuar rreth 700 milionë euro.

“Tribunat dhe tarracat u projektuan sipas mënyrës së përhershme, por ka një plan ndoshta për ripërdorimin e hapësirave të brendshme pas përfundimit të Kampionatit Botëror”, u shpreh ai. “Ne jemi krenarë për faktin që stadiumi i këtij kapaciteti është projektuar nga e para dhe ndërtuar nga e para me kërkesat teknike të FIFA-s”.

Katari është përballur me kritika të ashpra për trajtimin e punëtorëve emigrantë, shumë prej të cilëve janë përfshirë në përgatitjet e vendit për Kupën e Botës, me aktivistët që akuzojnë punëdhënësit për shfrytëzim dhe detyrim të punëtorëve të punojnë në kushte të rrezikshme. Megjithatë, autoritetet e Katarit këmbëngulin se kanë bërë më shumë se çdo vend në rajon për të përmirësuar mirëqenien e punëtorëve dhe thonë se ata “kanë qenë gjithmonë transparentë për shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve”.