Sport

Milani nuk dorëzohet pas kthimit të vështirë në Ligën e Kampionëve

Kur skuadra e Milanit i dha fund pritjes tetëvjeçare për t'u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, u konsiderua si një kthim i lavdishëm në elitën kontinentale për shtatë herë kampionin e Evropës. Por vetëm pas tri ndeshjeve këtë sezon në Champions, Milani po përballet me një detyrë të vështirë për të shmangur eliminimin e hershëm pasi e humbi çdo ndeshje të grupit deri më tani.

Një humbje 1:0 në Porto të martën pasoi disfatat kundër Liverpoolit dhe Atletico Madridit, duke i lënë italianët në fund të Grupit B, katër pikë larg ekipit spanjoll dhe portugez që renditen në pozitën e dytë dhe të tretë. Lojtarët e Milanit dhe mediat italiane nuk ishin të kënaqur që goli i fitores së Portos u konsiderua i rregullt, pasi Mehdi Taremi u përplas me Ismael Bennacerin para se Luis Diaz të shënonte.

“Një Milan i shëmtuar, por Porto fiton me një gol të parregullt”, ishte titulli në ballinën e së përditshmes “Gazzetta dello Sport”.

Por mund të ketë pak ankesa për rezultatin përfundimtar me Porton që ka regjistruar 19 goditje në krahasim me Milanin që pati vetëm katër.

“Kjo ishte më e keqja nga tri ndeshjet tona deri më tani në Champions”, pranoi sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviq. “Na presin tri ndeshje dhe ndërsa është ende i mundur kualifikimi në fazën e nokautit, ne do të përpiqemi. Unë kam besim”.

Mungesa e të dëmtuarve Mike Maignan, Theo Hernandez, Brahim Diaz dhe Ante Rebiq, si dhe mesfushori i pezulluar Franck Kessie ia vështirësuan dukshëm punët trajnerit Stefano Pioli ndaj Portos. Por italianët tani duhet të fitojnë kur Porto të vizitojë stadiumin “San Siro” pas dy javësh.

Milani nuk ka fituar një ndeshje të Ligës së Kampionëve qëkur mposhti Celticun 3:0 në Glasgow në nëntor të vitit 2013, por ka të ngjarë të ketë nevojë për tri fitore rresht kundër disa prej skuadrave kryesore të Evropës për të avancuar nga faza e grupeve. Kjo mund të duket e pamundur, por “Rossonerët” duhet të shikojnë vetëm 60 kilometra në lindje nga Bergamo dhe Atalanta, për frymëzim.

Kur skuadra e Gian Piero Gasperinit, Atalanta, bëri debutimin në Ligën e Kampionëve në sezonin 2019/20, i humbi tri ndeshjet e para në fazën e grupeve ndaj Dinamo Zagrebit, Shakhtar Donetskut e Manchester Cityt, me një rezultat të kombinuar 11:2. Sidoqoftë, Atalanta bëri një kthesë të mrekullueshme, duke marrë shtatë pikë nga tri ndeshjet e kthimit për t'u ngjitur në vendin e dytë dhe vazhdoi garat në Champions duke arritur deri në çerekfinale, ku u eliminuan nga Paris Saint-Germaini.

Ishte hera e parë në historinë e Ligës së Kampionëve që një ekip arriti në fazën e nokautit pasi humbi tri ndeshjet e para në grupe, statistikë kjo që ia ofron skuadrës së Piolit një pikë shprese.

“Ne duhet të besojmë. Është e lehtë të thuhet, por do të jetë më e vështirë ta bësh atë në fushë. Ne kemi zero pikë, por vendi i dytë në grup ka vetëm katër pikë para nesh”, insistoi Pioli.

Ende nuk ka humbur gjithçka për ekipin nga Serie A. Nëse Milan mposht Porton në shtëpi më 3 nëntor dhe Liverpooli triumfon Atletico Madridin në “Anfield Road”, italianët do të jenë një pikë prapa portugezëve dhe spanjollëve me dy ndeshje deri në fund. Te Milani insistojnë se nuk kanë hequr dorë akoma nga kualifikimi në 1/8 e finales së Championsit.