Liverpool ishte afër mospjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve këtë sezon, por me sulmuesin Mohamed Salah në formë mahnitëse skuadra e trajnerit Juergen Klopp po duket si pretenduese për trofeun e kësaj gare edhe një herë. Salah ka shënuar 12 gola në vetëm 11 ndeshje këtë sezon, me dy gola që i shënoi në fitoren e Liverpoolit 3:2 ndaj Atletico Madridit në stadiumin “Wanda Metropolitano”, ku e fitoi trofeun e Ligës së Kampionëve dy vjet më parë.
Fitorja emocionuese e Liverpoolit 3:2 kundër Atletico Madridit ka bërë që ekipi anglez të jetë në prag të kualifikimit në 1/8 e finales edhe pse deri në fund të fazës së grupeve kanë mbetur edhe tri ndeshje të pazhvilluara. Pas tri ndeshjeve të luajtura Liverpooli i prin Grupit B me nëntë pikë, pesë më shumë se Atletico që zë vendin e dytë. Liverpooli gjithashtu ka filluar fuqishëm këtë sezon edhe në Premier League, duke qëndruar vetëm një pikë prapa Chelseat që është lider në tabelë dhe duke u mburrur si ekipi i vetëm që ende nuk di për humbje në kampionatin anglez. Edhe pse e siguroi pjesëmarrjen në Champions sezonin e shkuar në momentet e fundit, Liverpooli tani është në një seri prej 21 ndeshjeve pa humbje në të gjitha garat. Rikthimi i Salah në formën që e pa atë të shënonte 44 gola në një sezon debutues të jashtëzakonshëm te Liverpooli në 2017/18, ka qenë shkaku kryesor i rikthimit të fuqishëm të ekipit të Kloppit. Egjiptiani ka shënuar gola të paharrueshëm kundër Manchester Cityt dhe Watfordit në javët e fundit dhe madje pati fat në golin e epërsisë së Liverpoolit kundër Atleticos. E vetmja njollë në sezonin e Salahut ishte një penallti e humbur kundër Milanit në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Championsit, dështimi i tij i parë nga pika e bardhë për Liverpoolin që nga viti 2017. Sidoqoftë, ai tashmë e ka lënë pas vetes atë dështim pasi u tregua i saktë nga penalltia për t’ia siguruar fitoren Liverpoolit në Madrid kur kishin mbetur edhe 12-të minuta lojë deri në fund të ndeshjes. Ky gol bëri më shumë histori të Liverpoolit për Salahun, pasi ai tejkaloi Steven Gerrardin si golashënuesi më i mirë i klubit në Ligën e Kampionëve. Me dy golat ndaj Atleticos, Salah ka arritur në kuotën e 31 golave të realizuara me fanellën e Liverpoolit në Champions. Ai është gjithashtu lojtari i parë që shënon në nëntë ndeshje radhazi për klubin.
“Salah është një lojtar i uritur, ai është një sulmues i uritur”, pranoi portieri i Liverpoolit, Alisson Becker. “Ai po shfaqet në fushë gjatë gjithë kohës, duke bërë gola vërtet të bukur, jo vetëm gola të lehtë”.
Forma e shkëlqyer e Salahut mund të kënaqë shokët e tij të skuadrës, tifozët dhe trajnerin Klopp, por kjo vjen në kohën më të keqe për drejtuesit e Liverpoolit, ndërsa ata përpiqen ta lidhin atë me një kontratë të re afatgjatë. Marrëveshja aktuale e 29-vjeçarit skadon në vitin 2023 dhe ai thuhet se dëshiron të paguhet sipas statusit të tij si një nga lojtarët më të mirë të Premier League. Klopp ka shkuar më tej, duke e përshkruar atë si lojtarin më të mirë në botë me formën aktuale.
“Ne nuk duhet të flasim për atë që Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi bënë për futbollin botëror dhe se si ata ishin me të vërtetë dominues”, tha Klopp. “E them këtë sepse këtë moment është më se e qartë që nuk ka lojtar më të mirë se Salahu”.
Megjithatë, duket se për momentin nuk ka asnjë ekip më të mirë në botë se Liverpooli dhe këtë Klopp e ka pranuar deri në një masë. Ai ka thënë se ekipi tashmë ka tejkaluar krizën e sezonit të shkuar, ku shkaku i lëndimeve nuk arriti ta mbronte titullin e kampionit të Anglisë.
“Gjëja e mirë është se ne jemi kthyer në formën më të mirë këtë edicion”, shtoi Klopp.