Sport

Ballkani kthehet në krye të tabelës, falë humbjes së Drenicës

 

Skuadrës së Ballkanit i ka mjaftuar një pikë në xhiron e dhjetë për ta rikthyer pozitën e parë në Superligën e Kosovës, që deri para kësaj xhiroje e ka mbajtur Drenica. Ballkani të mërkurën, ka luajtur pa gola në udhëtim te Dukagjini, barazim që e ka bërë lider në tabelë, pasi Drenica pësoi humbje si mysafire e Gjilanit (2:1), në të njëjtën ditë. Tani, Ballkani ka 18 pikë, një më shumë se Drenica e Gjilani që janë në pozitat dy dhe tre. Trajneri i Ballkanit, Bekim Isufi ka thënë se është i kënaqur që ekipi i tij nuk ka pësuar ende humbje këtë edicion, por ka pranuar se është dashur ta mposhtin Dukagjinin. Për Ballkanin, ky ishte barazimi i gjashtë karshi katër fitoreve këtë edicion ndërsa i katërti në pesë duelet e fundit.

“Është dashur më shumë dëshirë dhe të ishim më cinik para portës së Dukagjinit për të shënuar. Ndoshta, jemi komodë me faktin që nuk humbëm, por duhet të japim më shumë nga vetja. Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve në këtë takim, por kemi mundur të japim pak më shumë. Na ka munguar finalizimi, ndonëse këtë ndeshje është dashur ta fitojmë”, ka thënë Isufi që ka shtuar se Ballkani është dashur të ketë më shumë fitore, por ka lëshuar shumë pikë duke bërë hapa fals.