Armend Dallku është shprehur i kënaqur me pikën e marrë përballë liderit të tabelës, Ballkanit, por nuk është i kënaqur me kartonin e kuq të dhënë për sulmuesin Ahmed Januzi.
Trajneri i Dukagjinit tha se kartonët e kuq për skuadrën e tij janë bërë të tepërt. Januzi u ndëshkua direkt me kartonin e kuq në minutën e 82-të. I njëjti futbollist ishte ndëshkuar me të kuq edhe në ndeshjen e parë të sezonit kundër suharekasve.
“Kishim përshtypje se ne kishim frikë nga Ballkani dhe ata kishin nga ne. Nuk jemi aspak të kënaqur me kartonët e kuq. Kjo është e tepërt. Maksimumi i ndërhyrjes së tij ishte kartoni i verdhë. Sidoqoftë, ata po e shohin ndryshe, ne ndryshe. Por, direkt karton i kuq është e tepërt”, tha fillimisht Dallku, trajneri i klinasve. “Do të luftojmë për të marrë maksimumin në çdo ndeshje. E kemi përmendur më herët, pavarësisht se kush është kundërshtar. Nuk jemi të kënaqur me numrin e pikëve deri tani, synojmë që të marrim sa më shumë pikë. Duhet t’i shohim ku i kemi pasur problemet deri tani. Ne nuk e kemi objektiv që të dalim në vendin e parë. Objektiv e kemi që të bëjmë një ekip solid që do t’i bënte problem çdo ekipi”, theksoi Dallku.