Sport

Barcelonës i duhet patjetër fitorja ndaj Dynamos për të mbajtur shpresat gjallë në Champions

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, u ka dhënë mesazh të qartë futbollistëve të tij para ndeshjes me Dynamo Kievin. Ai ka thënë se Barcelona duhet patjetër ta fitojë këtë ndeshje për të pasur gjasa që të avancojë përtej fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

Dueli mes Barcelonës dhe Dynamo Kievit zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Camp Nou”, prej orës 18:45 dhe i takon xhiros së tretë të Grupit E.

Barça është e fundit në grup pa pikë, pasi ka pësuar nga Bayern Munichu dhe Benfica me rezultatin identik, 3:0. Dynamo është e treta në grup me një pikë të mbledhur dhe dy ndeshjet e ardhshme do t’i luajë kundër Barcelonës.

Koeman ka thënë se Barcelona luan për të ardhmen e saj në Champions, sidomos në duelin e parë me ekipin nga Ukraina. Ai ka insistuar se ekipi do të luftojë për t’u kualifikuar në fazën e nokautit, pasi refuzon të eliminohet në fazën e grupeve. Në këtë fazë, Barcelona ishte eliminuar në Champions para 21 vjetëve. Gjithashtu Koeman ka shtuar se fitorja ndaj Dynamo Kievit do të jetë e rëndësishme para duelit “El Clasico”, që zhvillohet në vikend. Barcelona ndaj Dynamos futet pas fitores që e shënoi në La Liga kundër Valencias.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe ne patjetër që duhet ta mposhtim Dynamon për të pasur mundësinë që të kalojmë me sukses fazën e grupeve. Kjo ndeshje e përcakton të ardhmen tonë në Champions dhe nuk kemi opsion tjetër përveç fitores. Pas dy humbjeve rresht në këtë garë, ka ardhur koha t’i kthehemi fitores, që është shumë e rëndësishme për shpresat tona”, është shprehur Koeman. “Si ekip, gjithmonë synimet i kemi të mëdha në Ligën e Kampionëve. Të paktën duhet të kërkojmë çerekfinalen apo edhe gjysmëfinalen. Por ky nuk është momenti që të mendojmë për gjëra të tilla. Hapin e parë në Champions duhet ta bëjmë në duelin ndaj Dynamos dhe për këtë i kam paralajmëruar edhe futbollistët që e kanë parasysh se duhet të fitojnë”.

Fitoren sikurse Koemani, po e kërkon edhe homologu i tij te Dynamo Kievi, Mircea Lucescu. Në konferencën për shtyp, Lucescu ka thënë se ekipi ukrainas do të futet në fushë për ta fituar ndeshjen ndaj Barcelonës, që e ka vlerësuar si ekip në rindërtim dhe të dobët.

“Nuk është vetëm Barcelona që duhet dhe dëshiron të fitojë. Edhe në duam të fitojmë në këtë ndeshje. Barcelona këtë sezon ka vështirësi të mëdha dhe kjo është normale pas largimit të Lionel Messit. Është një ekip në rindërtim dhe i dobët, kështu që edhe ne i kemi gjasat tona në këtë përballje”, është shprehur Lucescu. “Mund të them se Koemani për momentin e ka punën më të vështirë në botën e futbollit. Ai po përpiqet ta ndërtojë një ekip që do të ketë rezultate të mira dhe kjo kërkon kohë dhe shumë durim”.

Nën presion për të fituar të mërkurën është edhe trajneri i skuadrës së Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer. Manchester Unitedi prej orës 21:00 e pret në stadiumin “Old Trafford” skuadrën nga Serie A, Atalanta, në kuadër të Grupit F. Atalanta është lidere me katër pikë, një më shumë se Unitedi që zë vendin e tretë në tabelë. Solskjaer ka pranuar se është nën presion, por ka shtuar se ka besim që ekipi i tij do të kthehet te fitorja.

Në shtatë ndeshjet e fundit, Unitedi ka shënuar vetëm dy fitore dhe kjo ka bërë që presioni të rritet dhe të spekulohet për të ardhmen e trajnerit norvegjez.

Skuadra e Solskjaerit në duelin kundër Atalantas futet pas humbjes që e pësoi në xhiron e fundit në Premier League nga Leicester City me rezultatin 4:2.

“Edhe më herët kemi qenë në një situatë të tillë dhe presioni ishte i madh, por jemi kthyer më të fuqishëm si ekip. Kështu që unë vetëm po e pres përgjigjen e ekipit që besoj se do të vijë në ndeshjen kundër Atalantas, që duhet ta fitojmë për ta mbajtur hapin për kualifikim në fazën tjetër”, është shprehur Solskjaer. “Kjo ndeshje me Atalantan është e rëndësishme duke pasur parasysh se të dielën përballemi me Liverpoolin. Besoj se ekipi është gati për të dhënë përgjigjen e duhur, të cilën po e presin të gjithë”.

Ndaj Atalantas, skuadra e Unitedit pritet të jetë e kompletuar, por një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për ekipin italian. Atalanta do të ketë mungesa të shumta për këtë takim. Trajneri Gian Piero Gasperini nuk do t’i ketë në dispozicion disa prej lojtarëve kryesorë, si Rafael Toloi, Berat Gjimshiti, Hans Haterboer, Matteo Pessina e Robin Gosens, të gjithë të lënduar.

E mërkurë

Grupi E

Barcelona – Dynamo K. (18:45)

Benfica – Bayern M. (21:00)

1. Bayern M. 2 6

2. Benfica 2 6

3. Dynamo K. 2 1

4. Barcelona 2 0

Grupi F

Man. Utd – Atalanta (21:00)

Young Boys – Villarreal (21:00)
 

1. Atalanta 2 4

2. Young Boys 2 3

3. Man. Utd 2 3

4. Villarreal 2 1

Grupi G

Salzburg – Wolfsburg (18:45)
Lille – Sevilla (21:00)

1. Salzburg 2 4

2. Sevilla 2 2

3. Wolfsburg 2 2

4. Lille 2 1

Grupi H

Chelsea – Malmo (21:00)
Zenit – Juventus (21:00)

1. Juventus 2 6

2. Chelsea 2 3

3. Zenit 2 3

4. Malmo 2 0