Sport

Ndonëse me dy mungesa të rëndësishme, Kosova synon pikë ndaj Belgjikës

Futbollistet e Përfaqësueses së Kosovës e kanë zhvilluar të martën stërvitjen e parë në Belgjikë, ku e luajnë ndeshjen e ardhshme kualifikuese për Botërorin e vitit 2023. Të enjten prej orës 20:00, Kosova përballet me Belgjikën, në kuadër të Grupit F të kualifikimeve evropiane për Botëror. Ndeshja luhet në Leuven.

Kosova në hapje të eliminatoreve, më 16 shtator, barazoi 1:1 me Shqipërinë. Më 21 shtator humbi 3:0 në shtëpi nga Norvegjia, favoritja e grupit.

Belgjika është favoritja e dytë e grupit. Ka barazuar 1:1 me Poloninë dhe ka fituar 7:0 ndaj Shqipërisë.

“Dje kemi arritur në Belgjikë. Sot paradite e kemi zhvilluar një stërvitje, por kryesisht me lojtaret që kanë udhëtuar nga Kosova. Lojtaret e klubeve evropiane kanë arritur ndërkohë dhe kemi pasur një seancë rigjenerimi me to. Për ndeshjet e këtij muaji i kemi dy mungesa të rëndësishme, përkatësisht dy lojtare startuese. Modesta Uka ka filluar të punojë, ndërsa Edona Kastrati ka pësuar lëndim në ndeshjet e shtatorit”, ka thënë për KOHËN seleksionuesja Afërdita Fazlija.

Ajo ka pranuar se dy mungesa janë të mëdha për Përfaqësuesen e Kosovës, që nuk ka shumë konkurrencë në ekip.

“Gati 95 për qind të lojtareve i kemi në nivele amatore. Dhe arsyeshëm, për ato të gjitha punët tjera janë më me prioritet se futbolli, puna apo studimet. Dhe kjo po na sjell telashe”, ka shtuar Fazlija.

Nuk ka emra të rinj te Kosova për ndeshjen me Belgjikën dhe atë me Armeninë, që zhvillohet më 26 tetor në Jereven.

“I kemi tri lojtare që jemi duke i pritur. Për dy e kemi dekretin tashmë dhe shpresojmë që për ndeshjet e nëntorit, që i kemi në shtëpi, do të jenë në dispozicion. Por jo edhe për këto ndeshje të këtij muaji”.

Sipas selektores Fazlija, Belgjika ka nivel të përafërt me Norvegjinë.

“Belgjika e ka futbollin e nivelit të lartë. Por ne jemi të përgatitura dhe të motivuara. Favorite absolute është Belgjika, por ne nuk jemi indiferente. Duhet të angazhohemi maksimalisht që të nxjerrim më të mirën me kapacitetin që kemi. Pas ndeshjeve të shtatorit e kemi një pasqyrë më të qartë për ekipin që kemi. Jemi munduar ta analizojmë Belgjikën, kemi info për të. Dhe mbetet në fushë të shohim se si do të përballemi me të”.

Selektorja insiston se Kosova po bën hapa para.

“Është me rëndësi që në ndeshje të startojmë mirë. Po na kushtojnë 15-20 minutat e para. Në futbollin e femrave varet shumë se si e fillon ndeshjen. Pikët ndoshta nuk e dëshmojnë, por nëse bëjmë krahasim me kualifikimet e Evropianit, jemi para në shumë aspekte, duke përfshirë edhe harmoninë brenda ekipit”, ka theksuar Afërdita Fazlija.

Të enjten Shqipëria e pret Armeninë në Tiranë. Ndërkohë më 26 tetor Shqipëria luan në udhëtim me Poloninë.