Sport

Sane i shndërron vërshëllimat e tifozëve të Bayernit në ovacione

Pasi u fishkëllye pa mëshirë nga tifozët e Bayern Munichut në gusht, Leroy Sane ka përforcuar pozitën e tij për të heshtur tifozët e pakënaqur dhe për të justifikuar transferimin prej 45 milionë eurosh nga Manchester City.

Sane do të jetë titullar të mërkurën ndaj Benficas në Lisbonë, me Bayernin që kërkon fitoren e tretë rresht në Ligën e Kampionëve, për të qëndruar në krye të Grupit E, pas fitoreve që i pati muajin e shkuar kundër Barcelonës dhe Dynamo Kievit. Asnjë klub nuk arriti të shënojë gol ndaj Bayernit, i cili ka realizuar tetë herë deri më tani në Evropë. Sane ka një pjesë të meritave pasi rriti presionin e tij në pjesën e kundërshtarit. Siç thekson trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann, Sane ka “përfshirë veten në punën mbrojtëse dhe ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në aspektin defensiv”.

Megjithatë, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Sane iu bashkua Bayernit nga City në vitin 2020, por pati vështirësi të ketë ndikim në lojën e bavarezëve sezonin e kaluar, për shkak të mbrojtjes së dobët. Aftësitë e tij sulmuese janë të padiskutueshme. Ai e dëshmoi veten në këtë aspekt edhe në fitoren e Bayernit të dielën me rezultatin 5:1 ndaj Leverkusenit, për të kryesuar tabelën në Bundesligë. Si një 19-vjeçar, Sane shënoi debutimin e tij në Ligën e Kampionëve në vitin 2015 kundër Real Madridit për ish-klubin e tij, Schalke. Ai u transferua në vitin 2016 nga Gelsenkircheni në Manchester dhe thotë se goli i tij me i mirë që e ka shënuar ndonjëherë me fanellën e Cityt është ai ndaj Schalkes në vitin 2019 nga gjuajtja e lirë.

Përveç katër golave ​​ dhe shtatë asistimeve për Bayernin këtë sezon, ai ka treguar një vendosmëri të re për të fituar topin. Ai i bën presion kundërshtarit në gjysmën e tij dhe gjithashtu kthehet prapa, ashtu siç bëri për të shuar sulmin e Dynamo Kievit në fitoren 5:0 të Bayernit.

“Fillova të përmirësohem në aspektin defensiv për shkak se nuk doja që sërish të vërshëllehem nga tifozët. Kam punuar shumë dhe mendoj se tani jam përmirësuar edhe në mbrojtje. E dija që më duhej kohë, por kurrë nuk u dorëzova. Unë gjithmonë punoj shumë dhe te Bayerni ishte shumë vështirë për shkak se ka presion të madh”, tha Sane.

Dëshmia se ka fituar mbi tifozët e Bayernit erdhi kur Sane mori ovacione kur u zëvendësua pas një paraqitjeje të fortë - me dhe pa top - në fitoren 7:0 kundër Bochumit në shtator, ndeshje në të cilën shënoi gol fantastik nga gjuajtja e lirë.

“Është e rëndësishme për çdo lojtar që të japë kontributin e tij edhe në mbrojtje. Kështu që Sane ka filluar ta bëjë tashmë këtë dhe jam shumë i kënaqur me paraqitjen e tij si në sulm ashtu edhe në mbrojtje”, ka pranuar trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann. “Ne nuk i kemi dhënë atij ndonjë trajtim të veçantë, por thjesht kemi kërkuar që ta ndihmojë ekipin edhe në mbrojtje”.

Etika e punës së Sane është vërejtur edhe në skenën ndërkombëtare.

Ai shënoi kundër Lihtenshtajnit dhe Islandës në shtator para se të luante te Gjermania në fitoren 4:0 ndaj Maqedonisë së Veriut, për ta siguruar kualifikimin në kampionatin botëror “Katari 2022”.

“Ai vrapon nëpër fushë me lehtësi. Leroy ka aftësi të jashtëzakonshme, por vetëbesimi i tij është rikthyer kohët e fundit dhe jam shumë i lumtur për këtë”, tha trajneri i Gjermanisë, Hansi Flick. “Tani ai gjithashtu ka dëshirën për të marrë topat e humbur dhe kjo është një aftësi që Sane nuk e ka pasur në të shkuarën”.