Sport

Shpresat e Kosovarit për të luajtur për Kosovën

Descriptive Text

Futbollisti Kosovar Sadiki thotë se ka pasur dy ftesa për ta përfaqësuar Përfaqësuesen A të Kanadasë. Por të dy ftesat thotë se i ka refuzuar për një arsye.

“Bashkë me familje kemi vendosur që më mirë është të presim një rast nga Kosova apo Shqipëria”, thotë Sadiki 23-vjeçar, që luan qendërmbrojtës te skuadra elitare e Irlandës, Finn Harps.

Sadiku në maj të vitit 2018 ka luajtur një ndeshje për U-23 të Kanadasë, ndërsa dy ndeshje i ka për U-20 dhe katër për U-17 të Kanadasë.

Por Kosovari insiston se dëshira e tij është që një ditë ta përfaqësojë vendlindjen e prindërve.

“Kanadaja nuk e ka futbollin e zhvilluar, por ka qenë vështirë të depërtosh dhe të luash për U-23. Dy herë më kanë ftuar të jem pjesë e ekipit A të Kanadasë, por unë bashkë me familje kemi vendosur që më mirë është të presim një rast nga Kosova apo Shqipëria, sepse po të luaja për Kanadanë më nuk do të kisha mundësi ta ndërroja përfaqësuesen”, është shprehur Sadiki, 195 centimetra i gjatë.

Ai thotë se nuk është kontaktuar asnjëherë prej Kosovës apo Shqipërisë. Por pret t’i mundësohet që në një të ardhme t’i mbrojë ngjyrat e Kosovës.

“Nuk kam pasur ftesë apo kontakt me Kosovën apo Shqipërinë, por përderisa nuk kam pranuar të jem pjesë e ekipit të parë të Kanadasë, dëshira është që të luaj për njërin shtet shqiptar”, ka deklaruar ai.

Sadiki u lind në Mores të Gjermanisë, por është rritur në Kanada. Karrierën si futbollist e ka nisur në moshën 6-vjeçare.

“Babi është nga Ferizaj, ndërsa nëna nga Kaçaniku. Prindërit e mi janë takuar në Suedi dhe më pas janë zhvendosur në Gjermani, ku unë jam i lindur. Kam edhe një motër më të vogël”.

Sadiki tregon se fillimi i karrierës në Kanada ka qenë i vështirë.

“Babin e kam pasur trajner në hapat e parë të karrierës. Kam stërvitur me të, pasi nuk ka pasur shumë ekipe. Ka qenë një fillim i vështirë, pasi nuk ka qenë i zhvilluar futbolli, më shumë hokej apo basketboll dhe kam stërvitur me babin derisa kam arritur të luaj për grumpmoshat e Kanadasë”, ka theksuar Sadiki.

Sadiki ka arritur të luaj për U-23 të Stoke Cityt. I ka luajtur dy ndeshje.

Gjatë periudhës së zhvillimit të tij, pak ka luajtur edhe te Stafford Town i Anglisë dhe për Lokomotivën e Zagrebit, në vitin 2018. U largua pa luajtur asnjë ndeshje te skuadra kroate.

Nga skuadra kroate në janarin e vitit 2019 iu bashkua ekipit rezervë të Hibernainit. Por u largua nga kjo skuadër pa arritur të depërtojë në ekipin e parë.

“Kam lindur në Gjermani, por pas tetë muajsh prindërit kanë vendosur ta vazhdojnë jetën në Kanada. Duke luajtur për grupmoshën U15 të Kanadasë kam rënë në sy të Stoke Cityt, Crystal Palace dhe Liverpoolit, por kur kam shkuar në prova vendosa t’i bashkohem Stoke Cityt. Në Hibernian ka qenë shumë mirë, por erdhi momenti për të ndërruar mjedis, pasi nuk luaja shumë dhe ishte vendim i duhur. Tani këtu në Finn Harps po luaj rregullisht”, ka thënë Sadiki.

Me skuadrën irlandeze ka shënuar një gol dhe ka asistuar dy të tjerë në 26 ndeshje, ndërsa ka kontratë deri në fund të këtij viti. Synim i tij është të luajë për ndonjë klub apo kampionat më të mirë në Evropë.

“Synimi im është të luaj për ndonjë klub të mirë në Evropë”, ka thënë Sadiki.