Londër, 15 tetor – Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, ka paralajmëruar Newcastle Unitedin se paratë nuk e blejnë suksesin, pasi klubi anglez ka filluar të ëndërrojë që të bashkohet me elitën e futbollit evropian pas futjes në pronësi të një konsorciumi nga Arabia Saudite. Newcastle që po ka vështirësi, është tema kryesore në Premier League pasi u shit për 305 milionë euro, ndërsa pronarët e rinj po përgatiten për të filluar mbretërimin e tyre kundër Tottenhamit të dielën. Newcastle shpreson të imitojë suksesin e qëndrueshëm të kampionit në fuqi të Anglisë, Manchester Cityt, klub që mbështetet nga Abu Dhabi. Klopp pret që Newcastle t’i përmbushë ambiciet që i ka si ekip pas ardhjes së pronarit të pasur, por ai sugjeroi se mund të jetë një rrugë shkëmbore drejt majës së futbollit të Evropës, sepse vetëm paraja nuk mund të garantojë sukses.
“Blerja e Newcastlet? Çfarë do të thotë kjo për futbollin? Disa muaj ne kishim një problem me klubet që ndërtonin një Superligë evropiane, dhe me të drejtë. Por kjo po ndërton një super ekip, vende të garantuara në Ligën e Kampionëve në pak vite”, tha Klopp. “Tifozët e Newcastlet do ta duan atë, por paratë nuk e blejnë suksesin. Ata kanë para për të bërë gabime, por ata do të jenë aty ku duan”.
Marrja e Newcastle u “përshëndet” me shqetësim nga organizata “Amnesty International”, e cila e përshkroi atë si një “goditje të hidhur për mbrojtësit e të drejtave të njeriut”. Arabia Saudite u përball me dënimin ndërkombëtar pas vrasjes brutale të disidentit saudit, Jamal Khashoggi, në konsullatën e mbretërisë në Stamboll tre vjet më parë. Dhe, Klopp gjithashtu kërkon shpjegime nga Premier League.
“Unë prisja deklarata zyrtare nga shefi ekzekutiv i Premier Leagues, Richard Masters, sepse padyshim që ka shqetësime për të drejtat e njeriut, kjo është e qartë”, tha Klopp.
Përderisa ka folur për Newcastlen, Klopp është fokusuar tek ekipi i tij. Ai ka zbuluar se Liverpooli do ta dërgojë portierin Alisson Beckerin dhe mesfushorin Fabinho që ishin grumbulluar me Brazilin direkt në Spanjë për ta mbajtur karantinën e detyruar për shkak të rregullave të koronavirusit në Britani. Dy futbollistët do t’i mungojnë Liverpoolit për ndeshjen kampionale kundër Watfordit që zhvillohet të shtunën, ndërsa do të jenë të gatshëm për duelin e Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit që zhvillohet të martën e ardhshme në kryeqytetin e Spanjës.
“Është dashur ta zgjidhim këtë çështjen e karantinës dhe vendimi që e kemi marrë me futbollistët është se ata nuk do të jenë këtu, por në Spanjë”, u shpreh Klopp. “Ata direkt do të shkojnë në Madrid, do të na presin atje dhe shpresoj të jenë në gjendje të luajnë kundër Atleticos. Pastaj, do të kthehen më vonë në Britani që të na bashkohen në stërvitjet e rregullta. Kjo ishte zgjidhja dhe mënyra më e mirë e mundshme”.
Klopp gjithashtu thumboi edhe përzgjedhësin e Anglisë, Gareth Southgate, për vendimin që ta ftojë John Stonesin për ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit “Katari 2022” përkundër minutazhës së vogël që e kishte në klubin e tij. Sipas Kloppit, Southgate me këtë veprim ia ka mohuar mundësinë që pjesë e Anglisë të jetë mbrojtësi i Liverpoolit, Jose Gomez.
“Nganjëherë Garethi reagon kur lojtarët nuk luajnë për ekipet e tyre, nuk i fton në Përfaqësuese. Por, me Stonesin duket se ka diçka të veçantë. Joe është në formë fantastike dhe ka merituar të jetë pjesë e Anglisë. Garethi do ta kishte ndihmuar shumë nëse do ta kishte ftuar, por nuk e ftoi për çudi”, shtoi Klopp.
Trajneri gjerman është i bindur se Liverpooli do t’i bëjë presion Chelseat që është në krye të tabelës për titullin e kampionit të Premier Leagues. Ai pranoi se Liverpooli do ta ketë një test të vështirë kundër Watfordit, ekip që drejtohet nga Claudio Ranieri, i cili do të debutojë në këtë takim.
“Ardhja e Ranierit do të na vështirësojë shumë punët, sepse ai është një trajner që e njeh mirë ligën. Po ashtu, ne duhet patjetër t’i bëjmë presion Chelseat për kreun e tabelës”, shtoi Klopp.