Sport

Hendboll, Istogu e humb ndeshjen e parë me skuadrën islandeze

Descriptive Text

Hendbollistet e Istogut nuk kanë pasur forcë për të përballuar për 60 minuta skuadrën nga Islanda, KA/Por. Të premten mbrëma në palestrën në Istog, skuadra vendase pësoi 26:22, ndonëse ndeshja ishte e barabartë deri në minutat e fundit.

Ishte kjo ndeshja e parë e raundit të dytë të Kupës Evropiane. Pas pjesës së parë rezultati ishte 12:11 për istogaset. Më pas më shumë nga ndeshja kishin islandezet, por Istogu ktheu epërsinë në minutën e 53-të, 22:21. Në vazhdim hendbollistet e trajnerit Faruk Shala nuk shënuan asnjë gol, ndërsa i pranuan plot pesë, për të humbur 26:22.

12 gola nga 21 tentime i shënoi Esma Muratoviq. Albina Rugova kishte 4 gola nga 9 tentime, kurse nga dy gola i shtuan Natalija Milatoviq e Yllka Shatri. 10 pritje i kishte portierja Blerta Ahmetxhekaj. Por numri i limituar i lojtareve u kushtoi istogaseve.

Ndeshja e kthimit është menjëherë të shtunën prej orës 18:00.