Hetimi që kishte të bënte me fyerje në baza racore nga mijëra fëmijë kundër një lojtari me ngjyrë në Ligën e Evropës është mbyllur nga UEFA të premten për shkak të mungesës së provave.
Mesfushori i Rangersit, Glen Kamara, u duk se ishte cak i disa thirrjeve nga tifozët e rinj të Sparta Pragues dy javë më parë, akuza këto të cilat u mohuan nga klubi çek.
“Hetimi tani ka dalë në përfundim se nuk ka pasur prova të mjaftueshme për racizëm apo ndonjë sjellje diskriminuese në këtë ndeshje për të hapur procedura disiplinore”, ka thënë UEFA nëpërmjet një komunikate.
Ndeshja u zhvillua në praninë e 10 mijë tifozëve të rinj, nga mosha gjashtë deri në 14-vjeçare, për shkak se UEFA e kishte dënuar Spartën për abuzim racor në një futbollist me ngjyrë në një ndeshje të mëhershme të këtij sezoni.
Tensionet ishin ngritur gjatë vizitës së Rangersit në Republikën e Çekisë sepse Kamara u fye në baza racore nga një futbollist i rivalit të Spartas, Slavia Praga, në një ndeshje të Ligës së Evropës në Skoci në edicionin që shkoi.
Në atë çështje, UEFA e dënoi Ondrej Kudelan e Slavias për 10-të ndeshje garuese, teksa 34-vjeçari i mbrojtjes e humbi pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian.